E Martë, 3 Nëntor 2026

Projekti miliarda dollarësh, Meta do të ndërtojë kabllon më të gjatë nënujore

Meta po planifikon të ndërtojë kabllon më të madh nënujor që synon të ndërlidhë SHBA, Indinë, Afrikën e Jugut, Brazilin dhe vende të tjera.

Kompania mëmë e Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Threads do të ndërtojë një kabllo 50.000 kilometra, më e gjatë sesa perimetri i Tokës, për t’i bërë Inteligjencën Artficiale dhe teknologjitë e reja të  prekshme nga të gjithë.

Projekti Waterworth do të hapë “tre korridore të reja oqeanike me ndërlidhje të shpejtësisë së lartë që nevojitet për të dërguar risinë e IA në botë”, është shprehur Meta.

Kabllot nënujore përshkruhen si  “shtylla kurrizore e internetit” nga Global Digital Inclusion Partnership,  një grup që synon që deri në vitin 2030 popullsia e botë të ketë akses në internet.

Grupi raporton se rreth 95%  e trafikut të internetit kalon përmes këtyre kabllove, por aksesi në të s’është i plotë, çka ndikon në grupet më të margjinalizuara të shoqërisë.

Meta ka ndërtuar deri më tani 20 kabllo nënujore, ndërsa Elon Musk po përdor satelitë për të rritur lidhjen e internetit. Megjithatë, Starlink ka një tjetër qëllim sepse ndërlidh me internet zonat e largëta ku është e vështirë të arrijë një kabllo.

Projekti i ri i Meta parashikohet të kushtojë miliarda dollarë dhe do të duhen vite për ta realizuar.  kompania e ka përshkruar si “sipërmarrja më ambicioze nënujore deri më tani”.

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›