E Hënë, 2 Nëntor 2026

Projekti për gazifikimin e Korçës, Balluku: Duam ta shtrijmë në qytete të tjera, 100% të territorit

Përdorimi i gazit mund të jetë një alternativë më e volitshme për qytetarët dhe bizneset, deklaroi deklaroi të shtunën ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Deklarata u mbajt në Korçë, ku Azerbajxhani dhe kompania SOCAR kanë planifikuar projektin e gazifikimit të qytetit së bashku me qeverinë shqiptare dhe “Albgaz”.

Të pranishëm në aktivitetin inaugurues ishin kryeministri Edi Rama, ministri i Energjisë i Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov, dhe drejtues të pushtetit vendor.

Ministrja Balluku u ndal edhe tek arsyet përse u zgjodh Korça për këtë projekt.

“Për sa i përket numrit të përdoruesve të tregut sigurisht Fieri e kishte më të lartë si numër, por nga të gjitha studimet dhe sjellja e konsumatorëve ne vendosëm që të ishte Korça. Për dy arsye të rëndësishme. E para, në Korçë kemi konsumatorë model… me të vërtetë ka treguar që të gjitha pilotimet që janë bërë në qytet, bashkinë e Korçës dhe në qarkun e Korçës kanë qenë të suksesshme si në shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve dhe të energjisë. Në këtë bashki ne kemi një nga nuklat më të rëndësishme turistike të vendit dhe flitet për një turizëm 4 sezone, që të katër stinët e vitit Korça është një model i turizmit, i cili ka shërbyer edhe si një udhërrëfyes për pjesët e tjera, rajonet e tjera të vendit për tu kthyer në një nga shembujt më të mirë. Komponenti i tretë pse është zgjedhur Korça është për shkak se pas Myzeqesë është qarku me bujqësinë më të zhvilluar dhe me volumin më të madh të prodhimit,” nënvizoi znj. Balluku.

Ajo vuri në dukje se ky “do ta kthejë Korçën në gurin e provës duke sjellë një kombinim të jashtëzakonshëm të eksperiencës së Azerbajxhanit, e cila e ka ngritur të gjithë sektorin energjetik të suksesshëm mbi atë çfarë i ka falur Zoti, hidrokarburet. Dëshirojmë ta shtrijmë këtë projekt edhe në qytete të tjera të Shqipërisë derisa të arrijmë gazifikimin maksimal deri në 100% të territorit, por edhe në rajon, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë tre shtete të tjera të cilat mund të përfitojnë nga ky projekt i gazifikimit në të ardhmen.”

Kryeministri Rama tha se emri i projektit, “NUR”, që do të thotë dritë, është përzgjedhur posaçërisht nga presidenti i Azerbajxhanit.

“Unë kam qenë dëshmitar kur i ka thënë ministrit dhe të pranishmëve, nga projekti në Shqipëri nuk duam fitime, e rëndësishme është të mos humbasim dhe të fitojnë qytetarët e atij vendi. Dhe patjetër që për SOCAR-in, ky projekt nuk është një projekt domethënës në aspektin financiar, por të kesh parasysh ça investimesh bën SOCAR-i, por për ne, është një projekt shumë domethënës, ashtu sikundër për miqësinë dhe marrëdhënien e veçantë me Azerbajxhanin është domethënës dhe patjetër që, nëse ashtu sikundër, la të kuptohet edhe drejtuesi i lartë i kompanisë, projekti që fillon me Korçën do të shtrihet hap pas hapi më tutje dhe më tej edhe me pjesëmarrjen e investitorëve të tjerë, por jam i bindur që dhe shteti shqiptar do të ketë një fuqi tjetër, kur të vijë ajo ditë, të bëhet gazifikimi i Shqipërisë dhe TAP t’i shërbejë edhe shtrirjes së mëtejshme së bashku me projektin tjetër madhor që është Joniano-Adriatiku, atëherë sigurisht që kjo kthehet në një histori suksesi edhe financiar edhe për SOCAR-in, por për momentin nuk jemi tek ky fakt.

Ky projekt vjen në një moment goxha domethënës për sektorin e energjisë në Shqipëri. Vjen në një moment kur ne po investojmë shumë dhe diversifikojmë portofolin e energjisë. Vjen në një moment, kur sot Shqipëria është prodhuesi më i madh i energjisë diellore në rajon dhe kur një sërë investimesh të tjera në proces apo të parashikuara, na vendosin në parashikimin shumë optimist, por të mbështetur në shifra dhe në fakte, që brenda 2030, 30% e energjisë sonë të vijë nga dielli. Nga ana tjetër, ky projekt vjen në momentin kur ka filluar puna, pra ka filluar puna në tavolinë pas firmosjes së marrëveshjes për lidhjen me Italinë, nëpërmjet bashkëpunimit trilateral mes qeverisë se Republikës së Shqipërisë, Republikës italiane dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara që do të na japë ne një pozicion shumë të favorshëm strategjik në aspekt të transmetimit të energjisë dhe të gjitha këto bashkë ndodhin në një proces kur Shqipëria vendosmërisht hedh hapa domethënës për t’u bërë një vend sovran nga pikëpamja energjetike brenda vitit 2028 dhe pastaj Shqipëria 2030, për të qenë një vend eksportues neto i energjisë,” u shpreh kryeministri Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›