E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Projekti për restaurimin e Kalasë së Prezës fiton çmimin BIG SEE

Projekti për Restaurimin dhe Përforcimin e Kalasë së Prezës është përzgjedhur si fitues i Çmimit të Arkitekturës BIG SEE, në kategorinë e Ndërtesave Publike, njoftoi CHwB Albania (Trashëgimia Kulturore pa kufij – Shqipëri), hartuese e këtij projketi.

“I jemi shumë mirënjohës ekipit tonë të arkitektëve dhe partnerëve tanë që e kanë bërë të mundur këtë projekt”, shkruan CHwB Albania, organizatë joqeveritare e përkushtuar ndaj shpëtimit e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, të prekur nga konfliktet, fatkeqësitë apo edhe neglizhenca.

“Falënderojmë ekipin e BIG SEE për vlerësimin pozitiv të projektit tonë”, shkruhet në njoftimin e ndarë nga CHwB Albania, në rrjetet sociale.

Platforma BIG SEE synon që vazhdimisht të nxjerrë në pah biznese ekselente dhe sipërmarrje krijuese të Evropës Juglindore.

Kalaja e Prezës, projekti për restaurimin e së cilës është nderuar me çmim, është një Monument Kulture, Kategoria I. 

E ndërtuar në shekullin e 15-të, kalaja ka një histori të gjatë ndërhyrjesh në strukturë.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›