Projektligj për pezullimin e kryeprokurores në mes të mandatit
Projektligji për prokurorinë më në fund po kristalizohet. Negociatat mes qeverisë dhe ekspertëve të huaj ligjorë kanë dështuar vetëm në një pikë, te pezullimi nga puna e kryeprokurores, kur regjistrohet një kallëzim penal ndaj saj. Këshilltarët e huaj ligjorë, që punojnë me qeverinë shqiptare, i kanë sugjeruar zotit Alibeaj ta heqë këtë klauzolë, se nuk gjendet në asnjë vend të botës, por ai ka refuzuar.
Sipas kësaj klauzole, nëse dikush nga qeveria apo institucionet e tjera të pushtetit rrezikohet nga ndonjë hetim i mundshëm nga prokuroria, mund t’i bëjë një kallëzim kryeprokurores për arsye të ndryshme dhe në momentin që gjen mundësinë ta regjistrojë kallëzimin penal, atëherë kryeprokurorja është e detyruar të ngrijë mandatin e saj duke u pezulluar nga detyra.
Sipas gjithë gjasave, ky nen nuk do të ndryshohet nga qeveria dhe projektligji do të shkojë në këtë formë në Komisionin e Ligjeve.
Disa diplomatë të huaj në Tiranë, kryesisht të vendeve të Evropës Perëndimore, kanë vizituar ditët e fundit prokurorinë dhe Ministrinë e Drejtësisë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, por nuk kanë pasur rezultat.
Miku i rubrikës sonë, Flamuri, që e njeh mirë këtë çështje, na dha këto komente.
- Së pari, - tha, - ajo gruaja që ka shkuar aty, e ka dredhur bishtin që javën e parë dhe për këtë duhet të mendohet mirë. Unë për vete s’e kam dashur as javën e parë, po ç’t’i bëj atij burrit që e quajti Silvia Konti dhe na mbylli gojën. Pa unë e dija ç’mall ishte.
Së dyti, këto ndryshimet, o mixhë, duhen, se ajo gruaja ka filluar bën shantazh. I shikon këta shkërdh... e Bamirit që kemi ne në grup ti apo jo? Këta i shkojnë çdo ditë në zyrë dhe duan t’i japin zemër të nxjerrë të implikuar atë burrin në Gërdec. Se ç’ngatërrojnë histori koti, jo djali, jo baxhanaku. I kam thënë atij burrit, që nga Bamiri e ke këtë sherr, por, “jo” më thoshte. Tani e ka kuptuar. Se dhe gjithë prokurorët Bamiri dhe grupi i tij po i emëron. Asnjë nuk kam emëruar unë. Të Durrësit e ka emëruar Sami Gjergji. Gjykatën e Lartë, Sami Gjergji. Këshilltarët e asaj gruas, Sami Gjergji. Unë asnjë, d.m.th., ai burri asnjë. Kjo do të thotë se ata duan t’i marrin krahët dhe ta godasin. Dhe unë kam kohë që i them. Tani iu mbush mendja dhe ia nisi punës me ligjin. Po është ca si vonë, o mixhë, se i doli era punës.
Së treti, ajo gruaja e prokurorisë ka bërë dhe disa gabime të tjera. Shkon nëpër ambasada dhe denoncon atë burrin. Ky është pisllëk i madh, se po të mos ishte ai burri, ajo do ishte akoma gjyqtare province. Po kështu është kur s’të pyet njeri. Se kurrë nuk e mora vesh nga e gjetën. Filluan të mburreshin të gjithë. Ca thoshin e ka shoqe gruaja e Gaz Oketës, ca thoshin e njeh Bamiri, ca thoshin e njeh Olldashi, ca thoshin e njeh Argita. Në fund, doli ai burri dhe tha ‘Silvia Konti’ dhe na mbylli gojën. Epo, e paskan kopsit pa më pyet mua, thashë. Po i doli kallaji shpejt. Sa herë që nuk më dëgjon mua, kështu dështon. As dy javë nuk i shkojnë njerëzit që i gjen pa më pyetur mua. Tani, hajt e merru me atë gruan. Shkon ambasadë më ambasadë dhe shan qeverinë dhe atë burrin. Po s’ke ç’i bën. Ja, një vit iku dhe katër vjet është.
- Po sikur të mos jeni në pushtet pas katër vjetësh, kur të zgjidhet tjetri?
- ǒpunë kam unë me pushtetin, o mixhë. Unë pushtetin e kam te partia. Çelësat e partisë i kam në qafë, nuk m’i merr njeri sa të jetë ai burri. Dhe ai, jo pas katër vjetësh, po dhe pas 24 vjetësh aty është.