E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurimet publike, do ndryshojë projektligji, ka vend për spekulime

Gjatë dy muajve të fundit në avokatin e prokurimeve publike janë paraqitur 28 ankesa nga subjekte të caktuara ekonomike apo biznese, të cilat kanë paraqitur detaje të shkeljeve, sipas tyre, të kryera gjatë marrjes së vendimeve kontraktore, kur ata kanë qenë pjesëmarrës në tendera. Të dhëna zyrtare bëjnë të ditur se për dhjetë raste është filluar hetimi administrativ, pasi argumentet për t'u hetuar kanë qenë të mjaftueshme. Ndërkohë, një raport i avokatit të prokurimeve kërkon që ligji i prokurimeve publike të rishikohet dhe të përmirësohet, pavarësisht se, sipas tij, ai është më mirë sesa ligji i mëhershëm. Specialistë të Ministrisë së Financave thanë dje se reforma në fushën e prokurimeve publike në kuadër të angazhimeve që Shqipëria ka marrë për zbatimin e MSA, është pasqyruar në miratimin e ligjit të ri “Për prokurimet publike”, si dhe në amendimet që janë bërë gjatë vitit 2007. Gjithashtu, pak ditë më parë zyrtarë të avokatit të prokurimeve thanë në Komisionin e Ekonomisë se ky ligj ka eliminuar procedurat e prokurimit të drejtpërdrejtë, të cilat kanë sjellë impakte negative në buxhetin e shtetit, kanë shmangur konkurrencën, si dhe linin hapësira për veprime korruptive. Raporti i prokurimeve publike vlerëson se nevojiten përmirësime të mëtejshme në legjislacionin për prokurimin publik dhe koncesionet, duke vijuar kështu historinë e pambarimtë të përmirësimeve të përvitshme ligjore duke mos arritur asnjëherë të kuptohet, nëse këto përmirësime sjellin konkretisht më shumë ndershmëri në tendera dhe në prokurime. Ngritja e institucionit të Avokatit të Prokurimeve është një element i mirë që duket se ndihmon në garantimin e transparencës dhe barazisë në procedurat e prokurimit, por ende nuk mund të thuhet me saktësi se cili ka qenë efekti i vërtetë i këtij institucioni. Nuk mund të thuhet se ky institucion ka mundur të mpakë praktikat abuzive, ndonëse ai në shumë raste ka ndërhyrë dhe ka kthyer mbrapsht disa vendime. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka thënë shumë herë se përpos të tjerash, shkelje të rëndësishme vihen re edhe në prokurimet publike. Edhe auditi i brendshëm po ashtu ka konstatuar shkelje mjaft të mëdha sidomos në prokurimet publike në arsim, në shëndetësi, në punë të tjera publike. Avokati i Prokurimeve është një institucion që vihet në lëvizje nga ankesat që mbërrijnë dhe në rast se bizneset nuk ankohen në të, ai vetë nuk ndërmerr veprime për të shqyrtuar praktikat e zhvillimit të një tenderi, pavarësisht se si ai mund të jetë zhvilluar. Duket se për bizneset ky institucion nuk është ai që mund të japë një zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›