E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet” krijon Regjistër Elektronik Kombëtar

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Përfaqësues të qeverisë, grupe të interesit dhe ekspertë të shoqërisë civile morën pjesë në tryezën përmbyllëse të konsultimit publik për projektligjin “Për donacionet dhe sponsorizimet në Republikën e Shqipërisë”.

Ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të legjislacionit dhe përputhjes së tij me standardet evropiane, duke vendosur rregulla të qarta për donacionet dhe sponsorizimet dhe duke forcuar transparencën dhe integritetin institucional.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në fjalën e tij vuri në dukje se projektligji për herë të parë vendos rregulla të qarta për donacionet dhe sponsorizimet, krijon Regjistrin Elektronik Kombëtar dhe synon mbështetjen e aktiviteteve me interes publik, veçanërisht në art, kulturë dhe sport.

Përmes këtij ligji, tha ai, nxitet besimin, përgjegjshmëria dhe zhvillimi i qëndrueshëm i sektorëve kulturor, artistik dhe turistik.

Ndërkohë, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni  theksoi se projektligji siguron një proces transparent, të gjurmueshëm dhe të hapur për qytetarët, duke garantuar rregulla të qarta për çdo donacion apo sponsorizim.

Projektligji, pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, përmbush objektivat e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2025-2027.

Ai zgjeron kategoritë e përfituesve duke përfshirë organizatat jofitimprurëse, subjektet sportive, industrinë kreative dhe aktivitetet kulturore, me qëllim rritjen e ndikimit ekonomik, social dhe turistik.

Projektligji vendos gjithashtu rregulla të qarta për transparencën dhe raportimin e sponsorizimeve, duke mbrojtur integritetin e institucioneve dhe duke parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e aktiviteteve të paligjshme.

Për herë të parë, qytetarët do të kenë akses publik në Regjistrin Elektronik për donacionet dhe sponsorizimet e organeve publike, ndërsa të dhënat e subjekteve private që përfaqësojnë Shqipërinë në nivel ndërkombëtar do të mbeten të mbrojtura për efekt kontrolli financiar.

Ligji synon gjithashtu fuqizimin e turizmit kulturor dhe sportiv, duke shfrytëzuar ngjarjet dhe festivalet si motorë ekonomikë dhe si mjet promovimi i imazhit ndërkombëtar të vendit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›