Projektligji i Trump për axhendën e brendshme kalon në Kongres, sot ceremonia e nënshkrimit nga presidenti

Pas rreth 20 orësh telefonatash intensive, Presidenti Donald Trump ka përdorur si presionin ashtu edhe premtimet ndaj republikanëve me qëllim bindjen e tyre për mbështetje ndaj projektligjit të tij të gjerë për axhendën e brendshme.
Por ndërsa pa se procesi në Kongres nuk po ecte me shpejtësi, Trump reagoi me zemërim në rrjetet sociale duke shkruar se: “MAGA nuk është e kënaqur dhe po ju kushton vota!” .
Megjithatë, 14 orë më vonë, projektligji u miratua, me vetëm dy republikanë që votuan kundër. Presidenti pritet ta nënshkruajë atë pasditen e kësaj të premte në një ceremoni madhështore në Shtëpinë e Bardhë, e shoqëruar nga një fluturim i avionëve bombardues B-2 – të njëjtët që muajin e kaluar kishin sulmuar objektiva bërthamore në Iran, sipas një burimi nga Shtëpia e Bardhë.
Ky moment pritet të forcojë më tej imazhin e Trump si një president në kulmin e fuqisë politike, vetëm gjashtë muaj pas nisjes së mandatit të tij të dytë. Një vendim i fundit i Gjykatës së Lartë ka zgjeruar autoritetin ekzekutiv, ndërsa sulmet në Iran duket se kanë krijuar hapësirë për një marrëveshje të mundshme armëpushimi në Gaza.
Në arenën ndërkombëtare, një samit i NATO-s i zhvilluar sipas ritmit të presidentit, ka sjellë angazhime të reja për shpenzimet e mbrojtjes – një tjetër fitore për Trump pas vitesh presioni ndaj aleatëve.
/rtsh.al/