E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji i urbanistikës, nuk ka thjeshtim të marrjes së lejeve për ndërtuesit



Ervin Koçi

Ndryshe nga sa kishte premtuar, qeveria nuk ka ndërmend që të tregohet e hapur me ndërtuesit, duke thjeshtuar procedurat burokratike për marrjen e licencave. Këto të fundit që duket se kanë mbetur “monopol” i Ministrisë së Punëve Publieke, parashikohet të bëhen edhe më të vështira për t’u marrë me miratimin e ligjit të ri. Përfundimi i hartimit të projektligjit mbi “Planifikimin hapësinor të territorit” pritet të sjellë debate mes MPPTT-së nga njëra anë, si dhe grupeve të interesit nga ana tjetër. Edhe pse Ministria e Punëve Publike sjell një projektligj, nëpërmjet të cilit kërkohet të disiplinohet sektori i ndërtimeve, grupet e interesit pohojnë se ky draft nuk parashikon thjeshtim të procedurave për marrjen e lejes. Po ashtu, një nga pikat më të debatuara gjatë hartimit të këtij projektligji janë dhe gjobat marramendëse që MPPTT-ja ka parashikuar për subjektet e ndryshme ndërtuese në rast shkeljesh. Nga ana tjetër, drafti nuk parashikon asnjë masë administrative ndaj atyre zyrtarëve të cilët shkelin ligjin, apo krijojnë vonesa në dhënin e dokumentacionit për ndërtuesit, por vetëm vendosjen e gjobave të cilat ligjërisht janë fiktive.

Ndërtuesit kundër

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija, ka thënë për mediat në lidhje me këtë projektligj se, ai nuk parashikon asnjë thjeshtim të procedurave në dhënien e lejeve të ndërtimit. Sipas Hebovisë, “projektligji nuk parashikon procedura të veçanta për dhënien e lejeve sipas kategorizimit të ndërtimeve. Në këto kushte, Shoqata e Ndërtuesve paralajmëron se zvarritja në dhënien e lejeve do të vazhdojë të jetë e pashmangshme dhe drafti i ri nuk iu jep zgjidhje”. Po ashtu, një pikë tjetër e cila ka ndezur debate mes hartuesve të ligjit dhe grupeve të interesit, është masa e gjobave. Në projektligj, MPPTT-ja parashikon vendosjen e gjobës në vlerën maksimale apo të barabartë më shpenzimet që po kryhen, ndërkohë që nuk parashikohet asnjë masë administrative për zyrtarin që ka kryer shkeljen. Në këtë rast, mbi zyrtarët që kryhejnë shkelje ligji parashikon vendosjen e gjobave, ku nisur nga ana legjislative, ato quhen fiktive. Sipas Hebovisë, “në rast se drafti nuk parashikon funksionimin e tij sipas hapësirave ligjore, atëherë vendosja e gjobave bëhet për të mbushur arkën e buxhetit”. Përveç kësaj, Shoqata e Ndërtuesve në vërejtjet që i ka paraqitur MPPTT-së, ka kërkuar që të shpjegohet më mirë në ligj sesi do të veprohet me parimin e miratimit të heshtur. Projektligji nuk detyron organet kompetente për kryerjen e procedurave për lejen e ndërtimit, në rast se nuk kthehet përgjigje brenda 30 ditësh për kërkesën e subjektit. Shoqata e Ndërtuesve shpjegon se kjo nuk do të lejojë regjistrimin në hipoteka të ndërtimit në kohë.

Masat e gjobave

Sipas projektligjit të MPPTT-së, për lëshimin e lejes së zhvillimit, lejes së ndërtimit apo vërtetimit të përputhshmërisë në kundërshtim me këtë ligj qoftë edhe me pranimin në heshtje, zyrtari përgjegjës dënohet me gjobë nga 100 mijë lekë, deri në 10 për qind të vlerës së shpenzimeve që janë kryer apo do të kryhen sipas kërkesës përkatëse për zhvillim. Po ashtu, për çdo shkelje të kushteve të përcaktuara në lejen e zhvillimit, zhvilluesi dënohet me një gjobë nga 500 mijë lekë deri në vlerën e barabartë të 10 për qind të vlerës totale të shpenzimeve që do të kryhen sipas përcaktimeve të lejes së zhvillimit, dhe 100 për qind të vlerës shtesë së shpenzimeve të punimeve apo ndërtimeve shtesë, jashtë atyre të përcaktuara në leje. Kurse kryerja e veprimeve zhvilluese pa leje zhvillimi dënohet me gjobë nga 500 mijë lekë deri në vlerën maksimale, të barabartë me shpenzimet e zhvillimit të kryera pa leje. Kur për të njëjtën kundërvajtje përcaktohen dy a më shumë dënime nga legjislacioni në fuqi, zbatohet dënimi më i rreptë. Kurse në rast përsëritjeje, subjekti dënohet me dhjetëfishin e vlerës së gjobës. Ndër të tjera, në projektligj parashikohet që, kur një zhvillim është bërë në kundërshtim me këtë ligj, autoriteti përkatës përgjegjës merr vendim dhe masat përkatëse për kthimin e tokës, sipas rastit, në gjendjen e lejes së dhënë apo në gjendjen fillestare. Shpenzimet për këtë qëllim i takojnë kundravajtësit.

26 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›