Skolari: “Inter, harroje Lampardin!”
Trajneri i Çelsit, Felipe Skolari, i përplas derën në fytyrë Interit: “Frenk Lampard nuk lëviz nga Çelsi”. Tekniku brazilian, që ndodhet së bashku me skuadrën në një turne në Kinë, nuk dëshiron kurrsesi të humbasë shërbimet e mesfushorit të Kombëtares angleze. Në lojë ka hyrë rëndë edhe Roman Abramoviç, i cili për të kënaqur dëshirën e teknikut të tij të ri, sipas shtypit britanik, i ka ofruar lojtarit një kontratë princërish prej pesë vjetësh me një shumë në total prej 49.4 milionë euro, ose rreth 190 mijë euro në javë. Si metodë bindëse nuk është e keqe, parë faktin se nëse Lampard do ta pranonte ofertën do të bëhej lojtari më i paguar në botë. “Frenk është akoma me ne”, - tha midis të tjerash ish-trajneri i Brazilit e Portugalisë. “Nuk flasim më për këtë çështje. Ka një thes me thashetheme rreth të ardhmes së tij, e do të jenë në qarkullim deri në fund të 31 gushtit (data e mbylljes së transferimeve)”.
MUNTARI – Zërat për një transferim të mundshëm për Sulej Muntarit të Interi po bëhen gjithmonë e më të fuqishme. Me pistën Lampard, që bëhet gjithmonë e më e largët, Hoze Murinjo kërkon një alternativë. Lojtari i Portsmuthit duket objektivi i parë. Sipas BBC-së, midis ganezit dhe klubit zikaltër ekziston një parakontratë. Nga 9 milionë euro, që klubi anglez pagoi për ta marrë Muntarin nga Udineze, shuma që do të paguajë Interi shkon në 14 milionë euro. Tekniku i Portsmuthit, Heri Redknap thotë: “Nuk kemi folur me askënd dhe unë nuk dëshiroj ta shes Sulejin. Është një top-lojtar. Nuk dëshirojmë të lëmë të largohet askush. Muntari nuk do të shkojë asgjëkund”. Por në vendimin përfundimtar, sigurisht që do të merret edhe dëshira e afrikanit, për më tepër që Interi luan në Ligën e Kampioneve, me objektivin e madh për ta fituar atë. Së fundi mediat italiane publikuan faktin se me Muntarin akordi është për një kontratë pesëvjeçare me një pagë që vjen në rritje me kalimin e kohës. Nga 1.8 deri në 2.5 milion euro në vit.
25 milionë euro
Sipas lajmve nga Portugalia, presidenti i Interit, Masimo Morati, i ka bërë një ofertë prej 25 milionësh, Kuarezmës, mesfushorit të kërkuar me forcë nga Hoze Murinjo. Blerja e parë e madhe është ajo e Amantino Mansinit nga Roma. Figo e konsideron si pasuesin e tij.
25 Korrik 2008