Projektligji për amnistinë fiskale, Ministria e Financave sqaron qëndrimin e ndërkombëtarëve

Projektligji “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, që është hedhur në konsultim publik nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka tërhequr vëmendjen e aktorëve të ndryshëm, duke filluar nga ekspertët ligjore dhe të ekonomisë e deri tek subjektet vendase dhe të huaja.
Vasilika Vjero, zëvendësministër, MFE ka sqaruar për Radio Televizionin shqiptar, hapat e deritanishme të hartimit e konsultimit të ligjit dhe rrugën që do të ndiqet deri në miratimin e tij përfundimtar.
Projekti, i cili krijon mundësinë e futjes në ekonomi të një shume të konsiderueshme të parave në qarkullim brenda dhe jashtë vendit, është i shtati duke filluar nga viti 1999, kur megjithë përpjekjet për një amnisti ligjore fiskale, nuk është bërë e mundur një gjë e tillë. Ligjet e mëparshme të viteve 1999, 2006, 2011, 2016 dhe 2020 kanë tentuar amnistinë, por kanë përfunduar në ligje të faljes fiskale.
Sipas llogaritjeve paraprake të Ministrisë së Financave, të deklaruara në vitin 2020, gjykohet që para të lira jashtë sistemit llogaritet të jenë jo më pak se 2,4 miliardë euro. Projekti do t’i nënshtrohet diskutimit edhe në Kuvend, ndërsa miratimi i tij kërkon 84 vota.
/rtsh/