E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Prokurimet, APP tërheq vëmendjen për fondin limit dhe specifikimin teknik

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Agjencia e Prokurimit Publik pas verifikimit të procedurave të prokurimit të zhvilluara nga autoritete të ndryshme kontraktore, gjatë periudhës kohore 2021-2024 tërhoqi vëmendjen drejt zbatimit të drejtë të dispozitave ligjore.

Procedurat e përfshira në këtë plan verifikimi i përkasin llojit “e hapur”, “e hapur e thjeshtuar” dhe “procedurë prokurimi me vlerë të vogël”.

APP kërkon që autoritetet/entet kontraktore duhet të argumentojnë specifikimet teknike për objektin e prokurimit.

APP argumenton se specifikimet teknike nuk duhet të hartohen me parametra fikse ose me një interval minimal. Sipas APP-së, vendosja e specifikimeve në këtë mënyrë mund të orientojë ofertuesit drejt markave specifike prodhuese ose drejt distributorëve specifikë të mallrave, apo mund të bëhet pengesë për pjesëmarrje.

Autoritetet/entet kontraktore duhet të përcaktojnë dokumentet konkrete, në përmbushje të kërkesave teknike të përcaktuara, me qëllim që operatorët ekonomikë të provojnë përmbushjen e tyre.

Njëkohësisht, autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë në konsideratë se, specifikimet teknike duhet të përgatiten për të përshkruar sa më saktë dhe në mënyrë të plotë objektin e prokurimit.

Në këtë kuptim, aty ku është e nevojshme, duhet të përcaktojnë specifikime konkrete për zëra të preventivit, duke përshkruar tërësinë e kërkesave në lidhje me procesin e punës që do të realizohet për këta zëra.

Në rastet e përgatitjes së dokumentacionit teknik të procedurës, përfshirë specifikimet teknike, nga subjekte private, autoritetet/entet kontraktore duhet të verifikojnë nëse dokumentacioni në fjalë është hartuar konform legjislacionit të prokurimit publik dhe atij specifik.

Për sa i përket përllogaritjes së fondit limit, APP kërkon që autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë në konsideratë dhe të dokumentojnë përllogaritjen e fondit limit edhe në rastet kur bazohen në çmimet e kontratave të mëparshme.

Edhe në këto raste, autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë procesverbal, ku të cilësojnë mënyrën e përzgjedhur për përllogaritjen e fondit, përfshirë edhe vlerën përkatëse të kontratave të ngjashme. Gjithashtu, një kopje e tyre duhet t’i bashkëlidhet procesverbalit të mbajtur.

Nëse përllogaritja e fondit limit bazohet në testimin e tregut, në procesverbalin që mbahet për këtë qëllim, APP thotë se duhet të cilësohen operatorët ekonomikë, të cilët kanë dhënë oferta, si dhe vlerat përkatëse të ofertave të dhëna. Mospërcaktimi i këtyre të dhënave në procesverbal nuk provon lidhjen ndërmjet ofertave të administruara në dosje me vlerën e rezultuar të fondit limit dhe të përcaktuar në procesverbal.

Gjithashtu, sipas APP-së, ofertat e marra nga testimi i tregut dhe që administrohen në dosje duhet të protokollohen në autoritetin/entin kontraktor, në mënyrë që të provohet se janë marrë në kohën e zhvillimit të procedurës.

Në rastet e përgatitjes së dokumentacionit teknik të procedurës, përfshirë preventivin e punimeve, nga subjekte private, autoritetet/entet kontraktore duhet të verifikojnë nëse  dokumentacioni në fjalë është hartuar konform legjislacionit të prokurimit publik dhe atij specifik, për çmimet njësi apo analizat e çmimeve të përdorura.

Për hartimin e kërkesave të veçanta të kualifikimit, autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë në vëmendje parashikimet ligjore në hartimin e kërkesave të veçanta të kualifikimit, si dhe të argumentojnë domosdoshmërinë e tyre.

Gjithashtu, në hartimin e kritereve në fjalë duhet të mbajnë në konsideratë që numri i punonjësve dhe mjeteve apo llojit të këtyre të fundit duhet të mbështetet në analiza teknike, mbi bazën e të cilave të parashikohet numri i punonjësve të nevojshëm dhe mjeteve për realizimin e secilit zë punimesh, sipas afateve të parashikuara në grafikun e punimeve.

Gjithashtu, në analiza teknike duhet të bazohet edhe kërkesa e autoritetit/entit kontraktor që operatori ekonomik të disponojë një numër të caktuar punonjësish të specializuar, duke argumentuar teknikisht domosdoshmërinë për punonjësit e kërkuar, sipas profileve përkatëse.

Në rastet kur, mjetet e nevojshme për realizimin e kontratës kërkohen të jenë me qira, punonjësit manovratorë dhe drejtuesit e mjeteve jo detyrimisht mund të jenë në listëpagesat e operatorëve, pasi këta punonjës mund të kontraktohen. Në këtë kuptim, nuk është i nevojshëm disponimi në listëpagesa të operatorëve ekonomikë, i manovratorëve dhe drejtuesve të mjeteve, në rastet kur operatorët ekonomikë i disponojnë me qira mjetet e kërkuara.

Kërkesa e autoritetit/entit kontraktor për staf teknik (inxhinierë) duhet të jetë e argumentuar në përputhje me zërat konkret të punimeve. Stafi teknik i nevojshëm për realizimin e kontratës duhet t’i referohet preventivit të punimeve, për të cilat do të realizohet kontrata objekt prokurimi.

Autoritetet/entet kontraktore nuk duhet të kërkojnë kategori licencash apo nivele klasifikimi të tyre, për të cilat nuk janë parashikuar punime në preventiv. Këto raste mund të bëhen pengesë për pjesëmarrjen e ofertuesve të mundshëm, që nuk disponojnë këto licenca/kategori.

Në hartimin e kërkesës nga autoritetet/entet kontraktore që një prej inxhinierëve apo drejtuesve teknik të disponojë certifikatë/dëshmi “Përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë”, duhet të mbahet në konsideratë se, këtë dokument mund ta disponojë edhe një profesionist i marrë nga punëdhënësi, i cili jo domosdoshmërisht mund të jetë inxhinier.

Gjithashtu, duhet të mbahet në vëmendje se, kërkesa që një inxhinier të jetë i pajisur me certifikatë për vlerësimin e ndikimit në mjedis nuk vlerësohet e nevojshme në fazën e zbatimit të punimeve.

Në dokumentacionin e përcaktuar në kriter për drejtuesit teknik nuk është e nevojshme të kërkohet edhe librezë pune, pasi drejtuesit teknik figurojnë në licencën e shoqërisë.

Sa i takon licencave që lëshohen nga Qendra Kombëtare e Biznesit, autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë në konsideratë të specifikojnë nënkategorinë e saj, në rastet kur ka një ndarje të nënkategorive të licencës sipas objektit të veprimtarisë. Në çdo rast, këto kërkesa duhet të kenë lidhje dhe të jenë proporcionale me objektin e prokurimit.

Autoritetet/entet kontraktore duhet të përcaktojnë institucionin/organin përkatës që lëshon dokumentin e kërkuar në kriterin e kualifikimit, pasi në të kundërt, mund të krijohet konfuzion për operatorët ofertues apo edhe sa i takon vlerësimit të ofertave.

Në procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë në vëmendje të dokumentojnë me procesverbal, argumentimin e specifikimeve teknike dhe kërkesave të përcaktuara në ftesën për ofertë, si dhe të publikojnë këtë procesverbal në sistemin e prokurimit elektronik.

Gjithashtu, në procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, në rastet e kërkesave për kontrata të ngjashme të mëparshme, autoritetet/entet kontraktore duhet të specifikojnë një vlerë minimale të lejuar, si dhe të përcaktojnë periudhën kohore, brenda të cilës duhet të paraqiten këto kontrata. Në këto lloj procedurash nuk pasqyrohet fondi limit dhe, për rrjedhojë, autoritetet/entet kontraktore duhet të përcaktojnë një vlerë konkrete minimale të lejuar, mbi të cilën ofertuesit duhet të provojnë realizimin e eksperiencave të ngjashme.

Për vlerësimin e ofertave, në rastet e ofertimit nga bashkim operatorësh ekonomikë, autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë në konsideratë të evidentojnë gjatë procesit të vlerësimit në sistemin e prokurimit elektronik, të gjithë operatorët pjesë e këtij bashkimi.

Referuar udhëzimit të APP “Për mënyrën e zhvillimit të procedurës së prokurimit me mjete elektronike”, i ndryshuar, komisioni i vlerësimit të ofertave duhet të vendosë NUIS përkatës të operatorëve ekonomikë dhe përqindjen e tyre sikurse është përcaktuar në kontratën e bashkëpunimit, si dhe më pas të vijojë me vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur nga secili prej tyre, sipas kritereve të kualifikimit dhe raportit të përqindjeve të zërave të punimeve, që kanë marrë përsipër të kryejnë.

Dokumentacioni i kërkuar në dokumentet e tenderit duhet t’i kërkohet operatorit ekonomik të renditur i pari në formë shkresore, përpara publikimit të njoftimit të fituesit dhe nisjes së afateve të ankimit, referuar nenit 26/6 të VKM.

Gjithashtu, autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë një procesverbal për verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga operatori ekonomik i renditur në vend të parë, ku të specifikohet edhe forma e paraqitjes së tij.

Në vlerësimin e ofertuesve, autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë në vëmendje nenin 92 të LPP, sipas të cilit një ofertë vlerësohet në përputhje me të gjitha kërkesat dhe specifikimet e përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dokumentet e tenderit. Edhe skualifikimi i tyre, kur është rasti, duhet të jetë në përputhje me këto kërkesa dhe specifikime.

Autoriteti/enti kontraktor mund të kërkojë sqarime nga operatorët ekonomikë apo të kryejë verifikime, në lidhje me dokumentacionin e paraqitur nga operatorët ekonomikë në procedurë. Konkretisht, në nenin 82 të VKM parashikohet se: “nëse është e nevojshme, komisioni i vlerësimit të ofertave kërkon sqarime nga ofertuesit, të cilat duhet të jenë vetëm me shkrim ose të reflektuara në procesverbal”.

Në rastet e nënkontraktimit, nënkontraktori i miratuar nga autoriteti/enti kontraktor duhet të provojë me dokumentacion kriteret e kualifikimit për pjesën e kontratës që ka marrë përsipër të kryejë.

Gjithashtu, në rastet kur, dy ose më shumë operatorë ekonomikë rezultojnë me vlerë të njëjtë oferte, autoriteti/enti kontraktor si fillim duhet të njoftojë këta operatorë për të vijuar me procedurën e hedhjes së shortit. Më pas, operatori i renditur i pari duhet të paraqesë dokumentet përkatëse në formë shkresore.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›