Rama: Tregu i Rusit, një hapësirë e bukur dhe dinjitoze

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Tregu i Rusit falë investimeve të qeverisë dhe bashkisë së Shkodrës është transformuar në një hapësirë dinjitoze, duke sjellë përmirësime të dukshme të kushteve të tregtimit.
Gjatë inspektimit ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dhe prefektja e qarkut Majlinda Angoni, të cilët panë nga afër investimin e kryer në këtë treg.
“Deri dje një njollë turpi në fytyrën e një qyteti me historinë e me kulturën e Shkodrës, ndërsa sot një hapësirë e bukur dhe dinjitoze falë angazhimit të kryebashkiakut e mbështetjes së qeverisë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri të ditur se faza e parë për transformimin e Tregut të Rusit përfundoi brenda 5 muajsh dhe markata hapi dyert në prag të vitit të ri.
“Ky është bërë komplet nga e para. Janë rreth 115 vende shitjeje të reja komplet. E kemi mbaruar relativisht në kohë rekord. Arritëm ta mbarojmë përpara Vitit të Ri që të përdorej si markatë. Për 5 muaj është ndërtuar. Kjo ka përfunduar, është në kushte të mira. Kemi aplikuar për pjesën e dytë siç e kemi diskutuar. Kemi fituar tek Ministria një projekt prej 300 mijë eurosh. Po përfundojmë projektin dhe shumë shpejt fillojmë me pjesën e thertores që do të jetë për mishin dhe peshkun. Do të bëjmë dhe ndonjë rregullim të vogël që mund të duhet.”, u shpreh kryetari i Bashkisë Beci, i cili shpjegoi edhe lidhur me projektet e tjera rreth zonës së tregut.
“Në këtë zonë, përveç tregut që po bëhet dhe pjesës së pallateve, kemi disa ndërhyrje. Përveç pjesës së fasadave, kapotave, këtu mbrapa kemi dhe dy projekte të tjera që është fusha e lojërave dhe konviktet.
Ky është projekti i fushës dhe kemi filluar punën për konviktin me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Projekti që kemi bërë për mobilitetin, kemi nxjerrë tre parkime kryesore të qytetit; një është në Rus që është këtu dhe do të jetë nëntokësor, është një në Perash dhe tjetri që kemi poshtë Zdralës. Praktikisht, e gjithë zona këtu ka ndryshuar edhe me pjesën e fasadave, kapotave dhe infrastrukturës. Pra, i gjithë aksi nga hyrja deri në dalje të Shkodrës është komplet i rinovuar.”, shpjegoi Kryetari i Bashkisë Beci.
1 nga 6/a.f/r.e/