Prokurimet publike në një platformë, mbi 250 institucione administrojnë kërkesat në një vend

Procesi i prokurimeve publike pritet të bëhet më i shpejtë dhe plotësisht elektronik me lançimin e platformës së re prokurimet.obp.al, të prezantuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit. Platforma do t’u shërbejë mbi 250 autoriteteve kontraktore, të cilat tashmë do të administrojnë kërkesat për prokurim në mënyrë tërësisht digjitale, nga përgatitja e dokumenteve deri te nënshkrimi dhe vulosja elektronike, pa nevojën e dokumentacionit në letër.
Sipas ministrisë, sistemi i ri mundëson komunikim të standardizuar ndërmjet institucioneve, ndjekje në kohë reale të statusit të kërkesave, si dhe transparencë e gjurmueshmëri të plotë për çdo veprim. Digjitalizimi pritet të ulë kostot administrative, të shkurtojë kohën e përpunimit të procedurave dhe të përmirësojë koordinimin mes autoriteteve kontraktore dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara është institucioni që zhvillon procedurat e prokurimit në emër të institucioneve shtetërore për mallra, shërbime dhe kontrata të përbashkëta. Platforma e re është pjesë e procesit të modernizimit të administratës publike dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian për prokurimet publike, duke synuar rritjen e efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/