Prokuroria: Akuza për Gërdecin të bëhet vrasje

Delijorgji në seancë gjyqësore
Prokuroria e Apelit Tiranë kthen akuzën e “vrasjes” në dosjen “Gërdeci”. Gjykata e Apelit u njoh me argumentet e ankimit të Prokurorisë në lidhje me dosjen me 29 të pandehur, të akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit 2008, që mori jetët e 26 personave dhe plagosi më shumë se 300 të tjerë.
Në një seancë gjyqësore që zgjati thuajse shtatë orë, zbardhur sot nga “Panorama”, përfaqësuesit e Akuzës paraqitën kundërshtimet e tyre në lidhje me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për të pandehurit. Në përfundim të leximit të materialit voluminoz të ankimit, dy prokurorët, Shkëlqim Hajdari dhe Edmond Hyka, kërkuan ndryshimin e vendimit të shpallur më 12 mars 2012.
Në ankimin e paraqitur në gjykatë, prokurorët e Apelit u shprehën se Gjykata e Shkallës së parë nuk ishte mbështetur në prova dhe se nuk ishin marrë parasysh një sërë provash të paraqitura në proces në shpalljen e vendimit përfundimtar. Në seancën e radhës, e caktuar më 26 nëntor, gjykata do të njihet me ankimet e të pandehurve në lidhje me vendimin e Shkallës së Parë. Në përfundim të gjykimit në Gjykatën e Tiranës, togat e zeza shpallën 9 pafajësi, 97 vjet burg në total, gati 40 milionë lekë gjobë, si edhe dënime plotësuese për një pjesë të të pandehurve me heqje të drejtës për të ushtruara detyra apo funksione shtetërore në harqe kohore nga 1 deri në 5 vjet.
(Lajmin e plote e gjeni sot ne gazeten Panorama)