“Shqipëria ka analfabetizëm afër zeros - Rama pa u skuqur shpif e trillon çdo ditë”
Reagon ministria e Arsimit dhe Shkencës ndaj sulmeve e shpifjeve të PS
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar në lidhje me akuzat e shefit të opozitës për dështimin e sistemit arsimor dhe përfshirjen e nxënësve në mitingje partiake, duke i denoncuar si shpifje të rëndomta. “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vazhdon sulmin ndaj arsimit duke deklaruar të pavërteta nga njëri takim në tjetrin, për pjesëmarrjen e nxënësve në arsimin e detyruar dhe në atë të mesëm, për infrastrukturën shkollore, për mësimin e gjuhëve të huaja, për arsimin profesional dhe atë të lartë”, thuhen në deklaratën zyrtare të MASH.
Sipas deklaratës së ministrisë së Arsimit dhe Shkencës “nuk është arsimi që sot ka 1300 shkolla të reja dhe të rindërtuara, pra 71 për qind të të gjitha shkollave të vendit . Nuk është arsimi që pengon shndërrimin në realitet të ëndrrës evropiane të shkollareve shqiptarë, por jeni ju, zoti Rama, jeni ju pengesa, ju që nuk votoni tre ligjet që kërkon Komisioni Evropian për marrjen e statusit te vendit kandidat”.
Sipas tyre, nuk është arsimi, “për të cilin ju pa u skuqur shpifni e trilloni çdo ditë dhe deklaroni shifra të paqena si 15 për qind analfabetizëm”.
Shqipëria sipas statistikave shqiptare dhe evropiane ka analfabetizëm afër zeros, pra ndër më të ulët në botë.
“Arsimi ynë e afron çdo ditë e më shumë ëndrrën europiane të nxënësve dhe të rinjve tanë e jeni ju që pengoni shndërrimin në realitet të saj. Jeni ju, Edi Rama që përdorni votën e grupit tuaj parlamentar për të bllokuar votimin e tre ligjeve në parlament, ligje që kërkohen që Shqipëria te marre statusin në BE”, vijon më tej deklarata zyrtare e MASH.
Në fund, institucioni i Arsimit vë në dukje se, “nuk është sistemi arsimor i vendit tonë që sot mbërrin nivelet me te larta ne botë për ndjekjen e shkollave te mesme dhe të larta. Është vullneti juaj patologjik, Edi Rama, vullneti negativ për të mbajtur peng marrjen e statusit të vendit kandidat”.