Prokuroria: Si u vranë oficerët e policisë nga Dajti
DAJTI
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me administrimin e akt-ekspertimeve mjeko ligjore të viktimave të 7 gushtit në Durrës dhe akt-ekspertimeve të armëve të përdorua në operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit nga ky i fundit dhe vetë oficerët e policisë, ka rindërtuar zyrtarisht skemën e vrasjeve.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore e Laboratorit të Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme. Sipas këtyre akt-ekspertimeve konfirmohet edhe njëherë precizoni i lartë i Dajtit karshi agjentëve të policisë, ku nga 17 plumbat e shkrepura nga dy armët e tij, vetëm në dy plumba ka dal huq, të 15 të tjerët kanë përfunduar në objektivin e tij.
Ndërsa, efektivët e policisë nga 17 plumbat e shkrepura në drejtim të Dajtit vetëm 3 herë kanë qëlluar në shenjë, 14 herë te tjera kanë dal huq. Sipas këtyre burimeve zyrtarizohet përfundimisht se shtetasi Ledion Mare, i cili e shoqëronte të shumë kërkuarin Dajti është vrarë nga ky i fundit vetëm me një plumb në kraharor që i ka përshkruar zemrën duke sjell vdekjen e menjëhershme të tij.
Mësohet se i pari që ka mbetur i vdekur nga të shtënat e Dajtit ka qenë drejtuesi i planit operacional për arrestimin e shumë të kërkuarit, shtetasi Festim Xhani me tre plumba, më pas Saimir Duçkollari po me tre plumba, me nga një plumb është vrarë shtetasi Ledion Mare e Altin Dizdari, me gjashtë plumba agjenti Kastriot Feskaj dhe me një plumb është plagosur adoleshenti F.S.
"Nga këqyrja e trupit të shtetasit Festim Xhani, është konstatuar se kishte tre plagë, një në kokë që ishte tejshëpues, një në kraharor po tejshëpues dhe një në gjoks që plumbi i ishte ndalur në shpatull. Vrasja e tij ka ndodhur në krahun e majtë të makinës, tek xhami i derës së pasme pas shoferit, ku ishte afruar me pistoletë në dorë dhe duke bërtitur "Policia".
Më pas Dajti ka kryer vrasjen e kryeinspektor Saimir Duçkollari, i cili ka marr po tre plumba në gjoks, ku vetëm njëri prej tre plumbave i është ndalur në trup, plagët tjera kanë qenë tejë shpuese. Vrasja e tij ka ndodhur në krahun e djathtë të makinës, po nga xhami i derës së pasme pas pasagjerit të parë"-thuhet në akt-ekspertimin e Mjekësisë Ligjore.
Të gjashtë plumbat e qëlluar në drejtim të Xhanit dhe Duçkollari janë shkrepur nga një distancë mjaft e shkurtër nga dy pistoletat që kishte në përdorim Dajti, atë të tipit "Glock" nga dy plumba dhe nga një të tipit "Revolver". "Shtetasi Ledion Mare i cili ka qenë pak metra mbrapa makinës së parkuar të Dajtit, kur ky i fundit ka zbritur ka qëlluar në drejtim të agjentit Altin Dizdari që ndodhej pas Mares, por, plumbi i dal nga arma e tipit "Revolver" i ka shpuar kraharorin duke ia prekur zemrën.
Ndërkohë, plumbi i katërt dhe i fundit i qitur nga arma "Revolver" ka qëlluar në zemër kryeinspektorin Altin Dizdari, i cili sapo kishte zbritur nga motori i tij "Papaç" me të cilin kishte ardhur në vendin e ngjarjes pas thirrjes për ndërhyrje të drejtuesit Xhani"-thuhet nga prokuroria.
Gjithashtu, mësohet se Dajti pas vrasjes së katër personave, ka hedhur në tokë armën e tipit "Revolver" dhe me pistoletën "Glock" në dorë është nisur në drejtim të plazhit, duke qëlluar ndaj njërit nga oficerët që i ka dal para. Për fat të mirë asnjëri nga dy plumbat e shkrepura nuk kanë kapur oficerin që është shtrirë barkas.
Pak metra më lart, në cep të rrugicës së fundit para se të dal në plazh, Dajti ka parë nga mbrapa oficerin Kastriot Feskaj që po tentonte t'i vendoste prangat shoqëruesit të tretë të Dajtit. Në drejtim të tij, i shumë kërkuari Dajti ka qëlluar gjashtë herë, duke i sjell vdekjen e menjëhershme kryeinspektorit Feskaj duke bërë të mundur kështu arratisjen e personit të katërt.
Pas kësaj vrasje, Dajti është kthyer për të dal në plazh ku është përballur me një adoleshent, i cili po kalonte rastësisht aty, ndaj tij Dajti ka qëlluar pa ditur se është kalimtar duke e plagosur në këmbë. Më pas, vetëm pak metra pa hyrë në rërën e plazhit në kohën që Dajti po ndërronte karikatorin e pistoletës ky i fundit është qëlluar me tre plumba nga dy oficer policie të cilët po vinin nga plazhi.
Policia: Shumica agjentëve nuk e njihnin si fytyrë Dajtin
TIRANË- Institucioni i akuzës, me ndihmën e dëshmive të agjentëve të policisë që kanë marr pjesë në operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit, kanë mësuar se 80 % e agjentëve që ishin pjesë e këtij operacioni nuk e njihnin të shumë kërkuarin, pasi kishte ndryshuar nga fotoja e vitit 2002 që e dispononte policia.
Sipas këtyre burimeve mësohet se Dajtin, shumica prej oficerëve nuk e kishte parë me fytyrë, përveç fotos që Ministria e Brendshme dispononte që nga viti 2002, pasi ai kishte shtuar në peshë dhe ishte më i thinjur se në foto.
Përveç, këtij detaji mësohet se organi i akuzës ka mësuar se në këtë operacion kanë marr pjesë 12 agjentë policie me tre makina dhe një motor i tipi "Papaç". Në tre makinat, e tipit "Renault Clio"; "Ford fokus"; Ford Fiesta" ndodheshin tetë agjentë të policisë, në motorin e tipit "Papaç" ndodhej një person dhe tre efektivë policie me në krye drejtuesin Festim Xhani prisnin poshtë pallatit ku Dajti strehohej.
Në momentin që makina është parkuar drejtuesi Xhani ka kërkuar nga të gjithë agjentët që të afroheshin për ndërhyrje, ndërkohë, në planin operacional ishte parashikuar që dita e premte e datës 7 gusht të ishte vetëm ditë vëzhgimi për të shumë kërkuarin Dritan Dajti. Gjithashtu, mësohet se Ergest Xhoxhi është arrestuar në ikje e sipër nga njëri prej agjentëve të policisë, ku gjatë tërheqjes zvarrë nga oficeri Xhoxhit i kishte rënë portofoli, që është sekuestruar si provë materiale.
Fatos Xhani, është vrarë me tre plumba, një në gjoks, një në shpatull dhe një në kokë nga Dajti
Saimir Duçkollari është vrarë me tre plumba në gjoks nga Dajti
Altin Dizdari është vrarë me një plumb në zemër nga Dajti
Ledion Mare ka marr një plumb të Dajti në kraharor që i ka përshkruar zemrën
Kastriot Feskaj është vrarë me gjashtë plumba në shpinë nga Dajti
Adoleshenti F.S. që plumbi i ka prekur pak këmbën nga Dajti