E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët socialistë, të pavendosur për bojkotin

Deputetë shprehin mendime për bojkotimin e Kuvendit, por të gjithë ia lënë në dorë kryesisë dhe grupit parlamentar


TIRANË - Vendimi i kongresit socialist për të bojkotuar Kuvendin deri në një vendim të dytë të strukturave drejtuese të partisë, ka gjetur të pavendosur një pjesë të anëtarëve të kryesisë dhe deputetëve.


I kontaktuar nga "Shekulli", sekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, shprehet se qëndrimi i tij për njohjen e Parlamentit të ri ka qenë në përputhje me rezolutën e miratuar në Kongresin e Jashtëzakonshëm.


Ai shpjegoi se u vendos që të mos njihen zgjedhjet e 28 qershorit dhe se vendimi për kohën kur Partia Socialiste do të hyjë në Kuvendin e ri, do të merret nga kryesia dhe grupi parlamentar.


Ndërkohë, deputetja Olta Xhaçka thotë se mospjesëmarrja në Kuvend dhe bojkotimi i tij nuk mund të jetë një strategji që do t'i sillte përfitime PS-së. "Bojkotimi i Parlamentit nuk mund të jetë një strategji politike.


Mospjesëmarrja në Parlament, nuk e di se çfarë përfitimi mund të ketë. Por tashmë i takon kryesisë dhe grupit parlamentar që të vendosë për këtë gjë", - thotë Xhaçka.


Lidhur me mënyrën e realizimit të aksionit politik për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, Xhaçka vë në dukje se ky aksion do të realizohet në grup, dhe jo me iniciativa individuale.


"Është punë që do ta bëjmë në grup, për të arritur tek zgjedhjet e parakohshme. "Lufta" për mosnjohjen e institucioneve të dala nga qeveria e re duhet të zhvillohet në Kuvend",- u shpreh ajo.


Të njëjtin mendim ka edhe deputeti tjetër i Korçës, njëkohësisht njeriu më kritik ndaj Edi Ramës në PS, Ben Blushi. "Jam kundër bojkotit të Parlamentit. Nuk mund të dalim në rrugë si banda për të arritur tek zgjedhjet e parakohshme", - tha dje Blushi.


Deputeti Taulant Balla thekson se është kundër bojkotimit të Parlamentit, por shton se mosnjohja e Kuvendit të ri do të merret si vendim në mbledhjet e ardhshme të kryesisë dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, deputeti Erion Braçe, ka mbështetur rezolutën e kongresit, duke thënë se ai ka qenë dakord me këtë ide që në Asamblenë Kombëtare.


Madje, Braçe ka theksuar disa herë se, përveç mosnjohjes dhe bojkotit parlamentar, socialistët duhet të shtrijnë edhe më tej opozitën e tyre, duke organizuar protesta në mbrojtje të votës së vjedhur.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›