Prokuroria Speciale e Kosovës pushon hetimet ndaj Liburn Aliut

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ Ish-ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu njoftoi sot se Prokuroria Speciale e Kosovës ka pushuar hetimet ndaj tij.
Përmes një videomesazhi, Aliu tha se vendimi për pushimin e hetimeve përbën një lehtësim pas dy vitesh, ndërkohë që ka heshtur për akuzat dhe sulmet ndaj tij.
Hetimet lidheshin me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës kur Aliu drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës, konkretisht për faljen e borxheve dhe taksës ujore për kompanitë e ambalazhimit të ujit.
“Kam marrë lajmin e mirë nga avokati im për vendimin për pushimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale ndaj meje. Ky vendim është marrë më 11 shtator dhe është dhënë mëngjesin e së premtes, më 2 tetor. Ky proces hetimor ka filluar para dy vitesh dhe përgjatë tërë kohës është përcjellë me spekulime të shumta mediatike. Përpos punës sime si ministër është hetuar edhe pasuria ime dhe e gjithë familjes time, të ardhurat përgjatë viteve të cilat kanë qenë po ashtu të deklaruara që nga fillimi i vitit 2011 e në vazhdim”, bëri të ditur Aliu.
Aliu theksoi se që nga fillimi i hetimeve është sulmuar në të gjitha drejtimet, por është gjithmonë i gatshëm të përballet me të vërtetën.
“Jam përballur me shpifje dhe ofendime nga më të rëndat që më janë drejtuar mua dhe familjes time. Përballë një mali me shpifje unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin. Ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm. Mbase mund të vazhdoj të sulmohem sërish kudo me shpifje të shumta. Ashtu siç ka ndodhur më herët në botën ku lajmi përhapet me lehtësi. Unë jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën”, tha Aliu.
/m.m/j.p/