E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 1200 masa administrative për shkelje rrugore gjatë një jave në Shkodër

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar monitorimet dhe kontrollet në të gjitha akset e qarkut, me fokus parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin e shkeljeve dhe menaxhimin e trafikut.

Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë Rrugore, është arrestuar në flagrancë një shtetas dhe janë proceduar penalisht pesë të tjerë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Policia e Shtetit informon se në fokus të kontrolleve kanë qenë drejtuesit që drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara, tejkalojnë normat e shpejtësisë, përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, nuk vendosin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse, si dhe shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 1,253 masa administrative, nga të cilat 47 për parakalime të gabuara, 317 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 6 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, 23 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 6 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 39 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.

Gjithashtu, janë vendosur 6 masa për qarkullim me xhama të errësuar, 482 për parkim ose qëndrim të gabuar dhe 327 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut Shkodër, me synim parandalimin e aksidenteve, evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe u kërkon qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›