Prokuroria dërgon në gjyq dy shtetas për falsifikim dokumentesh në tendera publikë

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasit E.M., A.H., si dhe dy kompani, “Sulova Ndërtim Prodhim” dhe “Vëllezërit Hysa”. Ata akuzohen për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, kryer në bashkëpunim.
Hetimet nisën në kuadër të procedimit penal të datës 26 shtator 2019 dhe përfshijnë edhe vepra të tjera penale si “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsion pasiv”. Prokuroria e Tiranës njofton se nga provat rezulton se shtetasi E.M. krijoi në mënyrë fiktive kompaninë “Sulova Ndërtim Prodhim” në vitin 2014, ndërkohë që ishte ende i punësuar në kompaninë “Vëllezërit Hysa”.
Sipas hetimeve, kompania “Sulova Ndërtim Prodhim” shërbente si një krijesë formale e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, duke u përdorur për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit, pa u përfshirë direkt në to. Prokuroria dyshon se të akuzuarit E.M. dhe A.H. paraqitën të dhëna të rreme gjatë këtyre procedurave, duke fshehur përfituesit e vërtetë.
Gjithashtu, personat juridikë “Sulova Ndërtim Prodhim” dhe “Vëllezërit Hysa” përballen me akuza për falsifikim dokumentesh, si dhe për vepra të tjera të parashikuara nga nenet 186 dhe 25 të Kodit Penal. Prokuroria e Posaçme ka ndarë aktet për hetimet e mëtejshme të veçanta në lidhje me këto raste.
Hetimi i plotë është referuar për gjykim, dhe çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. /a.f/
