Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë

Prokuroria Speciale dhe pala e dëmtuar kanë kërkuar dënim maksimal, burgim të përjetshëm, për të akuzuarit për sulmin në Banjskë, duke e cilësuar këtë si dënimin e vetëm proporcional me peshën e veprës penale.
Gjatë fjalës përfundimtare, prokurori i çështjes, Naim Abazi, deklaroi se rasti përfaqëson një përballje të drejtpërdrejtë mes rendit kushtetues të Kosova dhe një organizimi të armatosur me qëllime terroriste.
Sipas tij, ekzistojnë prova të qarta se grupi ka qenë i mirëorganizuar që prej vitit 2021 në Rashkë, me synim prishjen e rendit dhe shkëputjen e një pjese të territorit të Kosovës. Prokuroria paraqiti video dhe fotografi si dëshmi për përfshirjen e secilit të akuzuar në sulmin ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ndërkohë, fjalët përfundimtare po vijojnë edhe nga përfaqësuesit e palës së dëmtuar. Avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, kërkoi gjithashtu burgim të përjetshëm për të akuzuarit.
“Afrim Bunjaku po vazhdon të vritet çdo ditë, për sa kohë askush nuk është penduar apo distancuar nga krimi. Më vjen keq për çdo të ri që dënohet, por jo kur krimi provohet me fakte. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk mund të shkëputet asnjë pjesë e saj”, u shpreh Koci.
Ai shtoi se të akuzuarit do të kishin pasur mundësi të lehtësonin pozitën e tyre nëse do të kishin bashkëpunuar me drejtësinë dhe do të kishin shprehur pendesë.
Procesi gjyqësor për sulmin në Banjskë vijon, ndërsa pritet vendimi i gjykatës në lidhje me dënimet përfundimtare.
/rtsh.al/