Prokuroria ndryshon akt akuzën: Ngjarja e Kamzës nuk është e qëllimshme
Aksidentoi policët, Edmir Koleci i shpëton burgut përjetë
Edmir Koleci, 37 vjeçari i cili aksidentoi për vdekje më 4 maj një efektiv policie me identitet Selman Mema si edhe plagosi rëndë kolegun e këtij të fundit, duket se do ti shpëtojë burgut përjetë. Prokuroria e Tiranës ka ndryshuar ditën e djeshme akt-akuzën për Kolecin, i dyshuar si autori që përplasi efektivët e policisë. Burime nga Prokuroria e Tiranës, bëjnë me dije se kanë në dorë një akt ekspertimi të ri të mbërritur nga Policia e Shtetit, ku rezulton se ngjarja e Kamzës nuk është e qëllimshme, por aksidentale. Akt ekspertimi
Sipas burimeve nga prokuroria ky akt ekspertim hedh poshtë të gjitha dyshimet e policisë e cila më parë është prononcuar për këtë ngjarje, se aksidenti u krye për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilin udhëtonte 37 vjeçari. Ndërkohë, ende nuk ka një vendim për ndryshimin e akt-akuzës. Akuza fillestare ndaj Edmir Kolecit, është Vrasje për shkak të detyrës dhe Tentativë vrasje. Ndryshimi i akt-akuzës, lidhet drejtpërdrejt me masën e dënimit që do marrë përfundimisht Edmir Koleci. Kështu në këtë formë ai mund të kërkohet të dënohet më pak nga sa përcaktohet në ligj, për të tilla ngjarje të rënda.
Ngjarja
Sipas policisë, Edmir Koleci, mbrëmjen e së shtunës, 4 maj në aksin rrugorë TiranëKamëz, në Bulevardin Blu, ka vrarë, duke e aksidentuar me mjetin e tij tip B.M.W x 6, me targa EU 097 ËL punonjësin e policisë Selman Lena dhe ka tentuar të vrasë punonjësin e policisë Preng Lleshi, të cilët kanë qenë me shërbim në zbatim të detyrave funksionale për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe parandalimit të ngjarjeve të ndryshme kriminale në një post bllok të ngritur për këtë qëllim. Koleci pas krimit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Por, është kapur me pas nga forcat e policisë së kryeqytetit, i ndodhur në shoqërinë e shtetasit Shkelzen Sylaj. Ky i fundit e ka përkrahur 37-vjeçarin gjatë largimit dhe fshehjes nga organet e drejtësisë, duke përdorur mjetin e tij tip Benz me targa TR 5402 N, sipas Policisë së Tiranës. Ndërsa në dëshmitë e tij në polici Koleci ka thënë se ai nuk i ka parë në rrugë dy efektivët e policisë pasi ishte tepër errësirë. Nëse akt ekspertiza e re për këtë ngjarje të rëndë, ku mbeti i vrarë një efektiv policia do të ndryshojë vërtet, atëherë 37 vjeçari do të dilte i fituar nga kjo ngjarje pasi akuza me vrasje pa dashje do ti ulte shumë vite dënimit të tij.