Sherr për lojën me letra, vret me thikë në zemër shokun
Cërrik/Pas sherrit për lojën e letrave, një minoren i ka ngulur thikën në zemër shokut të tij ndërsa 15 vjeçari ka vdekur në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në një lokal ngjitur me shkollën 9-vjeçare 7 Marsi, në lagjen nr. 3, e njohur si Fermë-Kantier, në Cërrik. Eri Fejzo, 16 vjeç, ka qëlluar disa herë me thikë në trup, duke i shkaktuar vdekjen shokut të tij Valentino Roçi, 15 vjeç, nxënës në këtë shkollë. Të dy fëmijët ishin me prindër të divorcuar, ndërsa autori cilësohej i rrezikshëm dhe agresiv.
Ngjarja
Sipas dëshmitarëve okularë dhe nxënësve të shkollës, dy adoleshentët kanë qenë duke luajtur me letra, kur më pas janë grindur mes tyre për arsye të humbjes. Pas konfliktit, 16-vjeçari Fejzo, i cili mbante pa leje një thikë me vete, ka sulmuar shokun dhe është larguar me vrap. Megjithë ndihmën e dhënë, i mituri Valentino Roçi humbi gjatë transportit për në spital. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia dhe ekspertët, teksa kanë lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin pak minuta pas ngjarjes,me akuzën e vrasjes me dashje. Mësohet se 16-vjeçari shfaqte herë pas here çrregullime mendore dhe ishte agresiv. Grupi hetimor, në përbërje të të cilit edhe ekspertë nga policia e Elbasanit, ka ngritur dy pista hetimi. Ajo e konfliktit të mëparshëm për ndonjë vajzë, ose e konfliktit të rastësishëm pas grindjes së lojës me letra. Sipas dëshmive të para të shokëve të tjerë që po luanin, debati ka lindur pikërisht për letrat, pasi viktima dhe autori kanë debatuar se kush kishte fituar dorën e lojës.
Precedenti
Ngjarja ka tronditur thellë nxënësit dhe prindërit e tyre. Pasi kanë mësuar se çfarë ka ndodhur, ata kanë nxituar për në shkollë për të shoqëruar fëmijët, pasi mësimi nuk kishte mbaruar ende dhe ishte pushimi i gjatë. Ndërkohë shokët dhe shoqet e djemve shprehen se autori i krimit, Eri Fejzo, ishte një djalë problematik që edhe herë të tjera kishte provokuar konflikte e mbante thikë me vete. Denisa Abazi, shoqja e Valentino Roçit, tregon se ishte një djalë mjaft i rregullt dhe se edhe disa ditë më parë ishin grindur me fjalë mes tyre për shkak të një vajze që ishte nxënëse në shkollë. Ndërsa në çastin e krimit, ata kanë qenë duke luajtur me letra pranë lokalit ngjitur me shkollën. Policia ka ndaluar 16 vjeçarin Eri Fejzo dhe ka shoqëruar për në komisariat dëshmitarë okularë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Mësohet se dy të rinjtë janë nga familje me prindër të divorcuar. Policia ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Kurse sipas mjekëve, mësohet se plaga vdekjeprurëse ka qenë ajo në zemër.