Prokuroria në Hagë: Thaçi nuk dha mesazhe ndihmëse, por udhëzuese për Zyrapin

PRISHTINË, 14 shtator/ATSH/ Në Hagë po zhvillohet dita përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për tentim të pengimit të drejtësisë.
Sot janë parashikuar kundërpërgjigjet e palëve, pas dy ditëve të javës së kaluar, të enjten dhe të premten, kur Prokuroria e Specializuar dhe ekipet mbrojtëse paraqitën fjalët e tyre përfundimtare.
Prokuroria e Specializuar që pati një orë në dispozicion për kundërpërgjigjen e saj, insiston se ish-presidenti Hashim Thaçi ka ndërhyrë drejtpërdrejt për të manipuluar dëshminë e Bislim Zyrapit.
Prokuror Joshua Hafetz, theksoi detaje nga vizitat e datave 9 shtator dhe 7 tetor 2023, ku në prani të të akuzuarit Smakaj, sipas tij, Thaçi ka dhënë udhëzime të hollësishme mbi atë çfarë dëshmitari duhej apo nuk duhej të thoshte para trupit gjykues, veçanërisht në lidhje me Shtabin e Përgjithshëm.
Kësisoj prokuroria kërkon që të shikohen transkriptet me kujdes për t’u parë qëllimi i vërtetë i Thaçit.
“Në të gjitha udhëzimet e veta, sigurisht që synimi i zotit Thaçi ishte që të ndihmonte veten. Shumë prej këtyre udhëzimeve konkrete jepen në hollësi në dosjen gjyqësore të prokurorisë dhe që citojnë të drejtpërdrejtë transkriptet. Ju kërkojmë, i nderuar gjykatës, që të shikoni dokumentacionin e kësaj çështjeje”, tha Hafetz.
Mbrojtjes së Hashim Thaçit i janë ndarë 30 minuta, ndërsa nga 15 minuta për ekipet e tjera mbrojtëse.
/KosovaPress/