Prokuroria në kërkim të pamje vizive të ngjarjes në Durrës
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pasi është vënë në dijeni nga efektivët e policisë se disa pushues kanë filmuar për disa sekonda me aparatet e tyre celular ngjarjen 7 gushtit 2009 ku u vranë nga Dritan Dajti katër agjentë policie, ka urdhëruar gjetjen dhe administrimin e tyre në dosjen hetimore. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë grupit hetimor, të cilët shtuan se është kërkuar sekuestrimi dhe administrimi i të gjitha pamjeve vizive që ekzistojnë për ngjarjen e Durrësit, konkretisht në zonën e plazhit pak metra larg rrugës që të shpien tek pista "Iliria".
"Nga të dhënat e siguruar nga Policia është mësuar, se disa pushues që ndodheshin rastësisht në vendin e ngjarjes pasditen e 7 gushtit, ku agjentët e policisë po tentonin ta arrestonin Dritan Dajtin kanë filmuar disa skena të ngjarjes është kërkuar administrimi i tyre. Disa pamje tashmë janë dhënë nga disa media, që do të kërkohet administrimi i kopjeve të tyre, për tu përdorur si prova materiale në Gjykatë kundër Dajtit. Disa nga këto pamje, kanë fiksuar se njëri nga agjentët e vrarë kishte xhupin e veshur me mbishkrimin "Policia" që hedh poshtë pretendimet e mbrojtjes dhe vetë të arrestuarit Dajti se nuk e dinte se ata ishin efektivë policie",-thanë burimet e akuzës. Gjithashtu, këto burime konfirmuan edhe njëherë se, vetë Njësia e Operacioneve Speciale që ndërhyjnë për arrestimin e Dajtit nuk kanë filmuar operacionin për arrestimin e tij, edhe pse në praktikën e punës ata regjistronin çdo arrestim.