Promovohet libri “Një histori e shkurtër e Albanisë së Kaukazit” i historianit azerbajxhanas Rizvan Huseynov

Veprimtaria u zhvillua sot, më 6 tetor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Azerbajxhanit në Shqipëri, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushit, anëtarëve të tjerë të kryesisë së ASHSH-së, ambasadorit të Republikës së Azerbajxhanit z. Anar Huseynov; z. Robert Mobili, Kryetar i Komunitetit të Krishterë të UDI-Albania në Azerbajxhan, si dhe autorit të librit “Një histori e shkurtër e Albanisë së Kaukazit”, historianit njëherazi Drejtor i Qendrës për Historinë e Kaukazit z. Rizvan Huseynov.
Aktiviteti u moderua nga drejtuesja e SMPJ prof. asoc. Elda Zotaj, e cila pas fjalëve të mikpritjes ftoi që në emër të kryesisë sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Anila Hoda të mbante fjalën përshëndetëse.
Akad. Hoda e vlerësoi promovimin e librit si një ngjarje që kontribuon në pasurimin e dialogut shkencor e kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Ajo theksoi se botimi i veprës në gjuhën shqipe u jep studiuesve dhe lexuesve shqiptarë mundësinë të njihen më nga afër me historinë dhe trashëgiminë kulturore të Albanisë së Kaukazit, duke përfshirë historinë e lashtë, traditat e shkruara, artin, arkitekturën, jetën fetare dhe trashëgiminë e krishterë të rajonit.

Duke u ndalur te roli i Akademisë së Shkencave, akad. Hoda theksoi rëndësinë e veprimtarive të tilla për shkëmbimin e ideve, nxitjen e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ajo vlerësoi gjithashtu zgjerimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale me Azerbajxhanin dhe përmendi memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive si bazë për projekte, shkëmbime studiuesish dhe botime të përbashkëta. Akad. Hoda falenderoi ambasadorin z. Anar Huseynov për angazhimin dhe afrimin e institucioneve ndërmjet dy vendeve dhe kontributin e tij që bëri të mundur këtë veprimtari. Në përfundim ajo uroi autorin për botimin dhe veprimtarinë e tij kërkimore.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori i Republikës së Azerbajxhanit në Shqipëri, z. Anar Huseynov, vlerësoi rëndësinë e zhvillimit të veprimtarisë në Akademinë e Shkencave, si institucion i kërkimit shkencor dhe dialogut intelektual. Ai theksoi rëndësinë e historisë së Albanisë së Kaukazit në trashëgiminë historike të Azerbajxhanit dhe të popujve të rajonit, duke veçuar dimensionet e saj historike, kulturore, fetare dhe arkitekturore, si dhe trashëgiminë e krishterë.
Ambasadori nënvizoi se përhapja e informacionit të saktë mbi këtë histori përbën një përparësi dhe se libri i Huseynovit krijon mundësi për njohje më të thelluar dhe për nxitjen e kërkimeve të mëtejshme akademike.
Ambasadori falënderoi autorin për punën dhe për ndarjen e kërkimit me komunitetin akademik shqiptar.
Akademik Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në ligjëratën me temën: “Një parashtresë mbi historinë e Albanisë së Kaukazit” (nisur nga libri i publikuar i autorit azerbajxhanas Rizvan Huseynov) e vlerësoi librin si një kontribut për njohjen e historisë, kulturës dhe traditës fetare të Albanisë së Kaukazit.
Ai theksoi rëndësinë e qasjeve bashkëkohore ndërdisiplinore, që ndërthurin historinë, arkeologjinë, filologjinë dhe epigrafinë, duke sjellë në vëmendje edhe veprën referuese “Caucasian Albania: An International Handbook”. Sipas tij, një vlerë e veçantë e librit qëndron në mbështetjen mbi burime të shumta historike dhe në trajtimin e çështjeve që lidhen me organizimin politik e etnik, zhvillimin e krishterimit, organizimin kishtar dhe traditën e shkrimit kaukazo-alban. Në këtë kuadër, ai veçoi rëndësinë e burimeve antike greke, latine, armene, siriane, bizantine, arabe dhe gjeorgjiane, si dhe të dëshmive epigrafike dhe arkeologjike për rindërtimin e historisë së rajonit.
Në përfundim, ai vlerësoi promovimin e librit si një shembull të bashkëpunimit akademik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, në funksion të zgjerimit të dialogut dhe kërkimit shkencor ndërkombëtar.
Autori Rizvan Huseynov u ndal në mënyrë të veçantë te historia e Kishës Apostolike Albane, zhvillimi i shkrimit dhe i kulturës albane, arti, arkitektura dhe monumentet e rëndësishme të rajonit. Një vend të veçantë në prezantimin e tij zuri kisha e Shën Eliseut në fshatin Kishë, të cilën autori e lidh me fillesat e krishterimit në Kaukaz, si dhe komplekset monastike të Gandzasarit, Khudavankut dhe Agoglanit.
Duke prezantuar qasjen metodologjike të veprës, Huseynov theksoi karakterin ndërdisiplinor të studimit, të mbështetur në burime historike, kronika mesjetare, dëshmi arkeologjike, materiale epigrafike dhe gjuhësore, duke ndalur veçanërisht te vepra e Musa Kalankatliut “Historia e albanëve”, dhe dëshmitë e autorëve antikë dhe burimeve të ndryshme mesjetare.
Një nga temat qendrore të librit është fati që pësuan trashëgimia dhe identiteti alban gjatë periudhës së Perandorisë Ruse, veçanërisht pas dekretit të vitit 1836 për shfuqizimin e Katolikosatit Alban, e cila ndikoi në dobësimin dhe zhdukjen institucionale të identitetit alban dhe në përvetësimin e një pjese të trashëgimisë së tij. Autori e konsideroi komunitetin udin, si pasardhës të drejtpërdrejtë të traditës së krishterë albane, dhe foli më tej për përpjekjet bashkëkohore për restaurimin e kishave dhe ringjalljen e jetës fetare e kulturore të këtij komuniteti në Azerbajxhan. Ai e vlerësoi komunitetin udin si ruajtës të rëndësishëm të gjuhës, kulturës dhe traditës së krishterë të Albanisë së Kaukazit.
z. Huseynov u shpreh libri u hartua si një përpjekje për të rishqyrtuar historinë e Albanisë së Kaukazit përmes burimeve historike dhe dëshmive arkeologjike, gjuhësore e epigrafike, si dhe për të nxitur kërkime të mëtejshme ndërkombëtare mbi këtë trashëgimi. Në këtë kuadër, ai e vlerësoi bashkëpunimin akademik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit si një mundësi për zgjerimin e studimeve mbi historinë dhe trashëgiminë e Albanisë së Kaukazit.
Në përmbyllje të veprimtarisë z. Robert Mobili, Kryetar i Komunitetit të Krishterë të UDI-Albania në Azerbajxhan, trajtoi historinë gati dymijëvjeçare të krishterimit në këtë territor, që nga fillesat e predikimit apostolik, si dhe dëshmitë historike e arkeologjike të zhvillimit të organizimit kishtar. Ai u ndal edhe te shndërrimi i krishtërimit në fe shtetërore në vitin 313 dhe te zhvillimet që çuan në shfuqizimin e Kishës Albane të Kaukazit në shekullin XIX dhe pasojat për komunitetin udin.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës ia kushtoi periudhës pas pavarësisë së Azerbajxhanit, kur nisi restaurimi i kishave dhe objekteve të kultit dhe rindërtimi i jetës fetare të komunitetit udin, duke u bërë si shembull të bashkëjetesës ndërfetare. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërfetar dhe ndëretnik në forcimin e tolerancës, respektit dhe paqes, si dhe të studimit dhe promovimit të trashëgimisë historike e fetare të komunitetit udin.
