Beqja: Mosindeksimi i pensioneve është vjedhje
Nënsekretari socialist për programin, Ilir Beqja, mendon se mosindeksimi i pensioneve për muajt maj e qershor është një vjedhje e pastër qeveritare. Sipas tij, Kryeministri, në shfaqjen e tij të çdo të mërkure, deklaroi, në delir të plotë papërgjegjshmërie, se nuk do të zbatojë detyrimin ligjor të indeksimit të pensioneve më datën 1 maj. "Dje, ministrat e Financave, Drejtësisë dhe Punës, me heshtjen e tyre, u provuan shqiptarëve se udhëhiqen nga një klan që nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor", tha Beqja. Ai i kujtoi Kryeministrit se pasi ka konsumuar më shumë se 2/3 e mandatit të tij, për pensionistët e qytetit nuk ka realizuar as 1/4 e premtimit të programit qeveritar për dyfishimin e pensioneve. "Midis pensionisteve dhe pensionistëve të Shqipërisë ka edhe 64-vjeçarë. I kërkojmë Sali Berishës që, të paktën, të mos tallet me bashkëmoshatarët e tij", tha Beqja.