E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prononcim për mediat i Kryeministrit Berisha, dhënë në Aeroportin e Rinasit

Maratona 100 ditore e imja dhe e qeverisë u mbyll me një vizitë, që së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, z. Mediu dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjen. Qazimin, bëmë në Mosul, tek njësia jonë që ndodhet aty për paqe, liri dhe stabilitet të këtij vendi mik.
Në Mosul ne mbërritëm orët e para të mëngjesit, takuam ushtarët, oficerët, nënoficerët e njësisë sonë, e cila është e inkuadruar në Komandën amerikane. Mund t'u them se ushtarakët shqiptarë me mision të Mosul i gjetëm shembullorë, të përkushtuar dhe në lartësinë më të mirë të detyrës. Vizituam vendodhjen e tyre, u njohëm me kushtet në të cilat ata vepronin, detyrat e rëndësishme që përmbushnin. Gjenerali Gardner nuk kurseu fjalët më vlerësuese, vlerësimet më të larta për atë njësi, e cila vërtetë nuk është e madhe, por një simbol i madh. Këta ushtarakë janë me një mision të vërtetë. Drekuam me ta, ju uruam festat, i sigurova se do t'i pres në Rinas. I lashë krenarë në misionin që përmbushin. Ata tashmë janë pjesë e lirisë së kombit irakian.

Pas ndarjes me trupën tonë, plot kënaqësi dhe krenari për ta, ne shkuam në Bagdat, ku u pritëm dhe u takuam me kryeministrin e këtij vendi, Al-Jaafari. Diskutuam për intensifikimin e marrëvedhënieve miqësore. Kryeministri shprehu mirënjohje të madhe për mbështetjen e Shqipërisë, shprehu vendosmëri të madhe për të drejtuar vendin në rrugën e demokracisë dhe përparimit.

Ajo çka unë mund të përmbledh nga ky udhëtim, krahas përmbushjes së një detyrimi që unë kisha për të bërë një vizitë trupave tona jashtë vendit, është se gjeta një Irak krejt tjetër nga ai që përshkruajnë mediat. Një Irak që gjatë vitit 2005 ka shënuar fitore të mëdha dhe historike në rrugën e demokracisë, në rrugën e të ardhmes së këtij kombi. Historia ka provuar se kombet me diktatorë dhe diktaturat nuk kanë të ardhme. Iraku pa Sadamin, në një vit, ka mbajtur disa procese elektorale dhe unë do t'u japë vetëm një të dhënë: gjenerali Gardner, Nënkomandant i zonës së Mosulit, në paraqitjen që bëri, më tha se një vit më parë, në zgjedhjet që u zhvilluan në këtë zonë prej 2.2 milionë banorë, u hapën gjithsej 83 qendra votimi dhe që të gjitha të mbrojtura nga trupat e koalicionit ndërkombëtar, kurse një javë më parë, në këtë zonë u hapën 330 qendra votimi, që të gjitha të mbrojtura nga ushtria irakiane. Pra kombi irakian ecën, ndonëse me vështirësi, i sigurt drejt demokracisë, i sigurt në rrugën e tij të lirisë. Zgjedhjet e fundit kanë qenë një fitore historike si për Irakun dhe rajonin përreth tij, për forcat e koalicionit dhe të gjithë ata që besojnë se demokracia mund të eksportohet, për të gjithë ata që mbështetën këtë aksion, këtë veprim të një rëndësie historike për demokraci dhe paqe në atë rajon.

Pas përfundimit të vizitës, sot gjatë rrugës për në kthim, në orën 10.30, unë pata një takim miqësor në zyrën e kryeministrit të Greqisë Kostas Karamanlis, në të cilën merrte pjesë dhe ministri i jashtëm i Greqisë, Petros Moliviatis. Ishte kënaqësi për mua, së pari t'i shprehja mikut tim dhe të kombit shqiptar, urimet më të mira për krishtlindjet dhe Vitin e Ri, ta falënderoja shumë përzemërsisht për ligjin e ri që ka bërë për emigracionin dhe të gjitha hapat e rëndësishme që qeveria e tij ka bërë në drejtim të normalizimit të jetës së emigrantëve shqiptarë, për vendimin e Ministrit Vulgaraqis për të lejuar kthimin e tyre për festat në Shqipëri edhe në rast se ata nuk kanë dokumentat ligjore. Diskutuam gjerësisht në këtë takim të hapur, të sinqertë, miqësor, mbi intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Për normalizimin e mëtejshëm të jetës së emigrantëve, diskutuam për inkurajimin e investimeve greke në Shqipëri, luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin e agjencive përkatëse, probleme të arsimit. Mund t'u them se në Athinë dhe në shumë qytete të tjera funksionojnë një numër mjaft i madh klasash në gjuhën shqipe ku emigranntët shqiptarë kanë të drejtë të çojnë fëmijët e tyre për të mësuar gjuhën e nënës.

Diskutuam gjendjen në rajon dhe të dy palët mendojmë se kuadri i përcaktuar nga Bashkimi Europian për respektimin e kufijve aktualë ndërkombëtarë dhe mosbashkimin e Kosovës me ndonjë vend tjetër përbëjnë një bazë solide për zgjidhjen, sikundër unë parashtrova pikëpamjen e qeverisë se respektimi i pakicave, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, kthimi i të zhvendosurve, zbatimi i decentralizimit dhe pavarësia e Kosovës, janë zgjidhja e vetme që jep paqe dhe stabilitet.

Në takim u diskutua edhe çështja e varrezave të ushtarëve grekë, për të cilën unë e sigurova se qeveria është tërësisht e vendosur për ta zgjidhur këtë problem pa asnjë lloj kompleksi dhe se cështjet teknike do të zgjidhen mes dy komisioneve.

Në lidhje me çështjen e pronave, ne jemi dakort me kryeministrin Karamanlis që në përputhje me nenin 15 të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit, çështja e pronave të qytetarëve shqiptarë në Greqi dhe qytetarëve grekë në Shqipëri të zgjidhet, si një çështje tekniko-juridike.
Në fund të takimit, Ministri i jashtëm, Moliviatis më solli mua urimet më të përzemërta të Presidentit Papulias, i cili është dhe një mik i çmuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Pyetje: A e ezauron kjo vizitë planin për një vizitë në Athinë, sikurse keni thënë më parë?

Kryeministri Berisha: Rruga ime ishte Tiranë-Athinë-Kuvajt dhe nga Kuvajti më pas, me disa lehtësira për të cilat unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë komandës amerikane dhe qeverisë amerikanë që bënë të mundur vizitën, por ky takim mund të ndodhte edhe në shkuarje, sepse unë nuk mund të kaloja në territorin e vendit të tij, pa takuar mikun tim. Mund t'u them se kjo nuk e zëvendëson vizitën që unë do të bëj në Greqi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›