Berisha-Zhang Yesui: Më shumë investime kineze në Shqipëri
Kryeministri Berisha ka theksuar vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar dhe zhvilluar më tej marrëdhëniet miqësore me Kinën, duke e vënë theksin në nevojën për të inkurajuar investuesit kinezë për të ardhur në Shqipëri, gjatë një takimi të premten paradite me zëvendës/ministrin e jashtëm kinez, Zhang Yesui.
Z. Zhang Yesui vlerësoi kontributin personal të z.Berisha për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke e falenderuar njëkohësisht për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kinës në kuadër të angazhimit të saj në OKB. Ai u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të shtrihet edhe në fusha të tjera dhe shprehu kënaqësinë për rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregtare të ndërsjellta. Si një hap të rëndësishëm për këtë, ai theksoi intensifikimin e kontakteve dhe komunikimin mes ndërmarrjeve ekonomike të dy vendeve.
Z.Berisha vlerësoi marrëveshjen me Kinën dhe kontributin për sjelljen e kompjuterëve për shkollat shqiptare. Ai i kërkoi qeverisë kineze inkurajimin e investuesve kineze për të investuar sidomos në fushën e energjisë dhe minierave.
Në lidhje me cështjen e Kosovës, kryeministri paraqiti qëndrimin e tij se pavarësia e Kosovës është zgjidhja që do të sjellë paqe dhe stabilitetet në rajon, duke vënë në dukje rëndësinë themelore të garantimit të të drejtave dhe lirive të pakicës serbe dhe pakicave të tjera, rëndësinë e dialogur Prishtinë-Beograd, si dhe respektimin e kufijve ndërkombëtarë. Z.Berisha u shpreh se shpreson se Kina do të japë ndihmesën e saj për një zgjidhje që ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon.