Propaganda antifetare në shtypin komunist
Aspekte të propagandës antifetare në shtypin e shkruar komunist
(Gazeta Bashkimi 1945-1950)
Nga SOKOL PAJA
Propaganda antifetare dhe argumentimi në publik
Pushteti shpirtëror dhe përndjekjet për shkak të dogmës, janë vetëm mjete ndihmëse për forcimin e pushtetit shtetëror. ..komunistët nuk jam mbështetja e sistemit, por mishërimi trupor i tij. Sistemi totalitar kujdesej shumë që propaganda të ishte bindëse dhe sigurisht të argumentonte shumë qartë në publik arsyen se pse po luftohej feja me çdo mjet. Shtypi i shkruar ishte një mjet i fuqishëm propagande për shkak se televizioni do të vinte pas 2 dekadash, ndërsa leximi i shtypit në radio e ndihmonte pa masë propagandën komuniste antifetare. Në propagandën që sistemi i kohës ushtronte nëpërmjet gazetës Bashkimi argumentonte se feja ishte e dëmshme dhe i pengonte komunistët për ndërtimin e shoqërisë së re komuniste, konsiderohej si një burim i pushtetit armik në Shqipëri. Enver Hoxha ishte vendimtar në prodhimin e një atmosfere kulturore totalisht e sunduar nga një propagandë doktrinare që ekzaltonte nacionalizmin. Gjuha letërsia, historia, gjeografia, folklori dhe etnologjia u kultivuan jo vetëm për ti dhënë popullit një ide për të kaluarën e vet, po, gjithashtu, për të përhapur e injektuar te ai ksenofobinë, sllavofobinë, izolacionizmin, kompaktësinë etnike dhe uniformitetin gjuhësor . Propaganda në shtypin e shkruar komunist në fillimet e vendosjes së regjimit totalitar është e tipit parapërgatitës ku ngulmohet dhe jepet ideja mbi rëndësinë që kishte lufta ndaj fesë dhe përgatitja e opinionit publik se veprimet ndaj klerit ishin të drejta dhe të duhura. Përgjatë ekzistencës dhe sundimit të sistemit dhe regjimit komunist në Shqipëri, i gjithë drejtimi i partisë, shtetit, jeta shoqërore dhe gjithçka tjetër funskiononte në zbatim me përpikmëri dhe besnikëri parimeve të marksizëm-leninizmit.
Tuk Jakova funksionar shtetëror i asaj kohe shkruan në gazetën Bashkimi se më 17 nëntor të para një viti në Kolegjën Franceskane janë gjetur armë, municione e dokumente tradhtie të klerit ndaj atdheut. Sipas Jakovës në këtë shkrim thuhet fort dhe anatemohet se kleri ka luajtur një rol shumë të madh armiqësor duke qenë e lidhur ngushtë me regjimin feudal të Zogut, dhe kanë qenë vazhdimisht bashkëpunëtorë të ngushtë të okupatorëve dhe pushtuesve që kanë skllavnuen e shtypun popullin .
N
ë këtë shkrim Jakova akuzon klerin katolik se: Kanë qenë agjentë spiritualë të Italisë fashiste, kanë qenë agjentat më aktivë të Italisë fashiste që kanë punuem me të gjitha mjetet dhe mënyrat për përgatitjen e 7 prillit. Akuza tjetër edhe më e fuqishme në shkrimin e Tuk Jakovës del se elementët reaksionarë të klerit katolik i kanë kthyem kishat në agjentura të imperializmit, në tribuna për të luftuem kundër popullit dhe pushtetit të tij, sipas Jakovës me parullat që kishte deklaruar kleri në këtë periudhë donte që të luftonte fort pushtetin nëpërmjet kësaj politike antipopullore. Në këtë shkrim Jakova thotë se kleri po flet kundër Bashkimit Sovjetik kundër Jugosllavisë dhe se Kleri është kundër vëllazërimit të popullit tonë me popujt vllazën të Jugosllavisë. Sipas Jakovës në shkrim thotë se: Me anë të shoqnive Don Bosco dhe Antoniane kleri ka ushtruem nji influencë mbi disa besimtarë inocentë në veri. Ata kanë një influencë spirituale pasi qoftë feudalizmi i Zogut, qoftë fashizmi italiano-gjerman i kanë bamë elozhe At Fishtës dhe poetenve të tjerë kasnecë të feudalizmit dhe fashizmit në shqipëri. Sipas Jakovës, kleri katolik në vendin ku flitej dhe predikohej për Krishtin dhe Parrizin banë politikë antipopullore e fshehën armë me vra popullin…këta armiq të betuem të popullit shqiptar kur i dënoi populli u munduen më thanë se gjoja kjo bahej për terror të regjimit kundër fesë dhe se veprimtaria e tyre ishte qenë fetare dhe jo politike.
Akuza e Jakovës ndaj Klerit ishte se këto armë do furnizonin bandat kriminale në ndonjë moment dobësie të pushtetit dhe qëllim kishin përmbysjen e pushtetit. Këta elementë reaksionarë të klerit katolik janë kundërshtarë të indipendencës së Shqipërisë, kundërshtarë të rrugës që po ecën populli ynë, lumturisë së popullit, ata gëzojnë kur populli vuan dhe qeshin kur populli qan. Në shkrim Jakova i quan klerikët katolikë si kundërshtarë të reformave të shtetit të asaj kohe, kundër rindërtimit të vendit, kundër popullit. Akuza e Jakovës ishte se nën altar ata fshehën fotografinë e Duçes, mbajtën armë e bomba çka ishte e mjaftueshme për sistemin e kohës të çonte në asgjësimin e klerit dhe veprimtarisë së tij.
Gjyqet politike si argument propagande
Mekanika e pushtetit komunist…në rezultat të çon deri në format më të rafinuara të shtypjes dhe në një shfrytëzim të përbindshëm (Gjilas, Milovan, Fytyra e Totalitarizmit, faqe 230, Fan Noli Tiranë 2006.) Gjyqet politike publike kundër klerit, ishin një mundësi e shkëlqyer për të demaskuar publikisht klerin para syve të publikut. Njëkohësisht edhe për të bindur publikun se feja po luftohet për shkak të veprimtarisë së rëndë kundër atdheut, masave punonjëse dhe ndërtimit të rendit socialist. Propaganda e regjimit totalitar kapet tek strukturat primare të ndijimeve trupore, ajo kërkon ta përligjë totalitarizmin duke përdorur realitetin primar, themelor, zanafillor të çdo qenieje njerëzore: trupin e saj nga pikëpamja fizike (Fuga, Artan, Shtigje drejt guvës së gjarprit, faqe 103, Ora, Tiranë 2004). Në gazetën Bashkimi 3 shkurt 1946 flitet për gjyqin kundër organizatës Bashkimi Shqiptar dhe klerikëve Jezuitë, Fausti, Dajani e Shllaku. Gazeta në këtë shkrim citon se të pandehurit kishin kryer veprimtari kundër pushtetit të kohës dhe atdheut. Me anë të kësaj organizate sipas krijuesve të saj, nuk synohej të krijohej një frymë demokratike në Shqipëri dhe se nuk kishin si qëllim rrëzimin e pushtetit. Gazeta shkruan se të arrestuarit kishin shpërndarë trakte dhe kishin bërë agjitacion sidomos ndaj atyre që ishin prekur nga reforma agrare apo të tatuarit, kërkonin të sabotonin zgjedhjet duke bërë që votat e popullit të mos shkonin në kutinë e Partisë së Punës, por të Frontit Demokratik. Kështu spekullonin me injorancën e popullit këta bisha me fytyre njeriu. Këta sjanë priftër por kriminelë thërret populli i shkodrës, i indinjuar( Gazeta Bashkimi nr 339, 3 fruer 1946 faqe 1 Gjyqi i Shkodrës nxjerr në dritë çdo ditë qëllimet dhe tentativat e fashistëve terroristë, Tiranë 1946.). Në gazetën Bashkimi 3 shkurt 1946 citohet dhe rreshtohen akuza të rënda ndaj klerikut Pater Anton Harapi duke i numëruar mbi shpatullat e tij tradhëti ndaj atdheut dhe popullit dhe duke e cilësuar Hyllin e Dritës të cilën edhe e kishte drejtuar për disa vite, si vatër e propagandës fashiste dhe antikombëtare. Në këtë shkrim thuhet për Pater Antonin se gjithë jetës ia kishte kushtuar tradhëtisë kombëtare e veprimit antipopullor e antikombëtar gjë që kishte arritur kulmin kur Pater Antoni kishte pranuar të bëhej pjesë e Këshillit të Lartë të Regjecës. Atë Antoni akuzohet për përmbysje të regjimit të Zogut me qëllim sjelljen e një princi nga Savoja katolik në Shqipëri, si pjesëtar i organizatës Bashkimi Shqiptar, kishte brohoritur pushtimin e Shqipërisë duke cilësuar fashizmin si çlirim, se kishte ndihmuar e bashkëpunuar me Ballin e Legalitetin, se kishte bashkëpunuar me Kuisligët, dhe akuza ë rëndë që ia komplikonte procesin dhe se dënimi me vdekje ishte shumë afër: Ke inspiruar, urdhëruar, ndihmuar, okupatorin në veprat kriminale si vrasje, tortura, shpërngulje të detyruara, internime në masë në fusha të përqendrimit të vdekjes në Gjermani dhe në Prishtinë, burgime në masë, grabitje, djegie, rrënime pasurish sht