Propozim për taksë të re për bankat
Një rrjet fondesh kombëtare duhet që të krijohet në mënyrë që bankat e falimentuara të mos shpëtohen më nga paratë e taksapaguesve, siç ndodhi gjatë krizës së fundit financiare kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe një numër jo të vogël vendesh europiane. Kjo ide erdhi dje nga Michael Barnier, komisioneri i BE-së për tregun e brendshëm. Ai tha se fonde të tilla duhet që të ishin pjesë e një sistemi shumë më të gjerë që duhet ngritur për parandalimin e krizave financiare në të ardhmen. Ndërkaq, bankave do t’u kërkohet që të paguajnë një taksë të posaçme për këto fonde që nuk do të përdoren vetëm për të shpëtuar nga falimentimi bankat e dështuara, por të menaxhojnë humbjet “në mënyrën e duhur”. Barnier tha: “Unë besoj në parimin se kush dëmton duhet që të paguajë. Nuk është e pranueshme që taksapaguesit të vazhdojnë të mbajnë në shpatullat e tyre gjithë barrën e dështimeve të institucioneve të ndryshme financiare dhe lojërat e rrezikshme të sektorit bankar. Ata nuk duhet që të jenë më në frontin e parë të luftës”, deklaroi ai. Barnier tha se sektori financiar duhet që të paguajë koston e krizave të sistemit bankar në të ardhmen. “Ja përse mendoj se bankave duhet t’u kërkohet që të kontribuojnë në një fond që do të krijohet për të menaxhuar dështimet e bankave, për të mbrojtur stabilitetin financiar dhe për të kufizuar përhapjen e mëtejshme të dëmeve, por që ndërkohë nuk bëhet fjalë për një fond shpëtimi financiar, pra për para që do të jepen për të financuar bankat e dështuara. Europa duhet që të jetë një shembull edhe për shtete të tjera për sa i përket zhvillimit dhe ndërmarrjes së mënyrave të përbashkëta dhe bashkëpunimit që duhet të jetë në fakt një vlerë dhe mënyrë veprimi globale”, ka vazhduar komisioneri. Sipas tij, Bashkimi Europian po kërkon një tërësi rregullash harmonike që do t’u japin mundësi institucioneve rregullatore të të gjitha vendeve që bëjnë pjesë në organizatë që të marrin masat e duhura me bankat që janë problematike. Procedimi me fondet do të mbetet brenda kufijve të vendeve, por ndërkaq ka disa mosmarrëveshje ndërkombëtare në lidhje me mënyrën e lëvrimit dhe qëndrimit të parave. Megjithatë, Bashkimi Europian është i vetëdijshëm edhe për një aspekt tjetër të një fondi të tillë që është ajo e sigurisë së madhe që mund të ndiejnë bankat dhe rritjes së rrezikshmërisë së veprimeve duke e ditur se kanë gjithsesi nga pas një institucion që nuk do t’i lërë në baltë dhe do t’i mbështesë në rast nevoje dhe krize. Sipas disa kritikëve, një fond i tillë do të ishte jo në favor të zgjidhjes së krizës së ardhshme, por në favor të shkaktimit të saj. Sipas kësaj kategorie analistësh, çdo vend duhet që të shtrëngojë sistemin e tij rregullator dhe mbikëqyrës dhe të ketë një institucion kombëtar ndërhyrës.
Një propozim më të saktë të këtij plani do të bëhet në takimin e ministrave të Financës së 10 vendeve më të industrializuara që do të organizohet në qershor. Një draft i parë do të paraqitet në fillim të vitit 2011 dhe më pas për t’u aprovuar do të duhet edhe vota e Parlamentit Europian. Kjo është një lëvizje që merret në kuadrin e tentativave globale për të ndrequr sistemin rregullator bankar.
#