Aromë indie në mes të Sarandës
Vënia e një kurore në hotel “Mediterrane” këtë fundjavë nuk ka qenë si gjithë të tjerat. Ajo ka bashkuar në çift vajzën nga Saranda me dhëndrin indian, bashkim ky që zbulon edhe një lidhje të bukur e interesante. çdo dasmë apo lidhje martese përjetohet si një stacion shumë i rëndësishëm në jetën e njeriut. Djegia e shamisë së beqarit është bërë tashmë një kulm i ceremonisë së çdo dasme, pasi ai moment mbart edhe simbolikën e ndarjes nga beqaria. Një zinxhir momentesh të tilla, të hedhura në videoklipin e dasmës, e bëjnë atë të afërt edhe kur kalojnë shumë vite. Ndërsa dasma e Juliana çipës ka qenë një nga ngjarjet e ditës që ka përjetuar qyteti i Sarandës. Ajo që e ka bërë dasmën e saj të përcillet si një ngjarje, ka qenë vendimi i saj për të vënë kurorë me djalin që zgjodhi, edhe pse Dixon Thomas është me kombësi indiane. Pikërisht për këtë ky moment personal përmban dimensionin njerëzor me të veçantën e mesazhit të madh të integrimit dhe të antiracizmit. Shqiptarja Juliana çipa nuk është “si gjithë të tjerat” jo vetëm në zgjedhjen e shpirtit binjak, ku jep një model, por edhe në shumëçka. Ajo është studentja e shkëlqyer e Kolegjit Amerikan në Greqi, ku patën emigruar prindërit e saj vite më parë. Pas kësaj do të ndiqte studimet për master në Inxhinieri Programimi Elektronik në Angli, ku gjithashtu tregoi ekselencë dhe menjëherë u bë pjesë e një kompanie të madhe angleze. Me Dixon Thomas e njohën studimet për master, ku edhe i dhanë fjalën njëri-tjetrit për martesë.
Dasma në mjediset e hotel “Mediterrane” në Sarandë shkoi mrekullisht. Surpriza e nuses shqiptare ishte edhe veshja e saj tradicionale indiane, dhuratë nga njerëzit e Dixon-it të saj të shtrenjtë.
#