E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimi, Mësim online në shkollat e mesme

Gazeta Shqip

Mësuesja ideatore: Duhen fonde. MASH: Do dembeloseshin nxënësit

Praktika e mësimit tradicional, ajo që njihet botërisht në historinë njerëzore, do të shoqërohet nga një formë e re komunikimi në raportin mësues-nxënës. Ora klasike, kur mësuesi shpjegon mësimin për 45 minuta me radhë, ndërsa nxënësi mban shënime, do të pësojë ndryshime rrënjësore. Duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor, nxënësi mund ta mësojë mësimin duke e dëgjuar atë online. Tingëllon çuditshëm, por projekti i hartuar nga një mësuese e shkollës së mesme në kryeqytet është tashmë i konfiguruar në detaje. Madje, mësuesja ka përditësuar në faqe disa video ku shpjegohen orë të ndryshme mësimi, për lëndë si biologjia, fizika, matematika, gjuha shqipe apo letërsia.

Projekti është ambicioz. Ideja ishte plotësisht e imja, ndërsa për realizimin e saj, që zgjati 2 vjet rresht më ka ndihmuar një prej kompanive më të njohura të kompjuterëve në vend. Projekti aktualisht ndodhet në Ministrinë e Arsimit, e cila nuk më ka dhënë ende një përgjigje, qoftë për përfshirjen e saj ose jo në programet shkollore të shkollave të mesme. E gjithë kjo do të funksionojë nëpërmjet një faqeje, ku do të publikohen ditë pas dite video të mësuesve që shpjegojnë orët përkatëse të mësimit online, sqaron arsimtarja për gazetën Shqip.

Ajo thekson se nuk pretendon që kjo praktikë të synojë zëvendësimin e mësimit në klasa, por si një formë që ndihmon nxënësit, që për arsye të ndryshme kanë humbur një ditë mësimi.

Për të bërë realitet këtë projekt, duhet që Ministria e Arsimit të akordojë një fond të posaçëm për shpenzimet që kërkon shumëfishimi i tij me qëllim shtrirjen në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Përveç kësaj, edhe mësuesit që pranojnë që përtej zhvillimit të mësimit në klasa të japin mësim edhe online, duhen paguar shtesë, përndryshe nuk do pranojnë të jenë pjesë e kësaj risie. Pra, i vetmi institucion që mund ti japë jetë këtij projekti është MASH nëpërmjet ofrimit të fondeve publike.

Burime në Ministrinë e Arsimit janë skeptike. Ata thonë se një mënyrë e tillë e prezantimit të mësimit mund të jetë sa efikase, aq edhe e dëmshme. E kemi parë dhe shqyrtuar projektin, por nuk kemi marrë ende një vendim final për përfshirjen ose jo të këtij projekti të quajtur mësim online në programet shkollore të shkollave të mesme. Dyshojmë se kjo praktikë mësimi do të dembelosë nxënësit dhe do të regjistrojë mungesa të konsiderueshme në klasa. Duke qenë ende të pavendosur, mendojmë që një alternativë e mundshme do ishte përfshirja e saj si program me zgjedhje, jo detyrimisht bazë, shpjegojnë burime në MASH. Shpresa Mezini

Propozimi, Mësim online në shkollat e mesme burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›