NUK DO VIJNË ENGJËJT POR DO LARGOHET NJË DJALL
ANDREA STEFANI
Është gabim të shpresosh në një triumf të moralit si alternativë politike aty ku kryqëzohet Krishti dhe votohet Baraba. Prandaj ejani të përdorim barabat e politikës për të mposhtur Cezarin! Dhe pastaj të vazhdojmë përpjekjen qytetare për ringritjen e moralit duke ringjallur drejtësinë! Morali nuk na ndihmon dot tani. Sepse është i kryqëzuar nga korrupsioni. Kjo është sot logjika në një mjedis sodomie politike që gëlon nga nënshtrimi i shqiptarëve prej fanatizmit, kulteve politike, arrogancës së qeveritarëve, korrupsionit, varfërisë, servilizmit, frikës së mbijetesës, frikës nga i forti dhe i pushtetshmi, nga padrejtësia; në një Gomorrë ku i varfri shet votën apo kartën e identitetit, lirinë dhe të drejtën për të vendosur kush do ta qeverisë, për pak lekë apo një grusht miell, ku malësori i varfër vazhdon të votojë prej 23 vjetësh demokratiken, edhe pse nuk ka bukë në sofër dhe demokratikja se ka mendjen as tek ai, as te demokracia, e akoma më pak te liria, ku fanatiku voton pa ju dridhur dora kryeministrin që vrau duke mbetur i gatshëm ta votojë pafundësisht, siç votonte deri dje Enver Hoxhën, kur si i majti ashtu edhe i djathti heshtin kur liderët e tyre ndryshojnë Kushtetutën, duke bërë krimin më të madh ndaj lirisë, drejtësisë e për rrjedhojë, edhe moralit. Dhe është alogjike të shpresosh se ringjallja morale do të vijë prej asaj që tashmë të gjithë e dinë se është pjesa më e kalbur e jetës, nga politika. Por ka një mundësi. Ta shfrytëzojmë kalbëzimin e politikës, kacafytjen për pushtet mes politikanëve, për të rrëzuar betonimin e sundimit berishist. Prandaj themi se kur tregu politik i burrave që kërcejnë sa majtas-djathtas, e detyron patericën që mban pushtetin e autokratit të largohet prej tij, duke bërë që ai të rrëzohet, është alogjike ti thuash opozitës së rrëzuar: mos e merr patericën e keqe paçka se autokrati do mbetej në pushtet! Madje akoma më keq! Do përjetësohej në pushtet? Edhe Hitleri kur mposhti përfundimisht demokracinë në Gjermani, ishte në kërkim të një mandati të tretë.
***
Gratë mishërojnë triumfin e materies mbi logjikën kurse burrat, triumfin e logjikës mbi moralin shkruan Oskar Wilde. Këtë të fundit, duhet ta kish thënë për politikanët. Sepse është zakon konstant i logjikës së tyre të përsëdytin moralin. Kush e beson se ka politikanë besnikë të moralit, kalamendet në një botë surreale. Edhe zhgënjimi i shfaqur për imoralitetin e marrëveshjes Meta-Rama është (përjashtuar diversionit moralizues të zërave dhe mediave të pushtetit që bënë avokatinë e vrasjeve të 21 janarit), tregues i keqkuptimit naiv por edhe të sinqertë, se boshti i politikës së sotme është morali në një kohë që dihet se boshti i kësaj politike është pushteti. Por është dhe besimi naiv se politikanët janë ringjallësit kur, klasikisht, janë pikërisht ata kryqëzuesit më të mëdhenj të moralit. Është një ngatërrim i qeverisjes me moralin kur dihet që qeverisjet janë gjeneratorët kryesorë të korrupsionit dhe imoralitetit. Është kjo arsyeja, pra mosbesimi në moralin e politikanëve, që demokracia perëndimore ka shpikur mekanizmin e ndarjes së pushteteve. Pikërisht që qeveritë të mos kenë pushtet absolut. Sepse pushteti absolut korrupton më në mënyrë absolute! Dhe pikërisht kjo ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri.
***
Pushteti gjithë e më absolut i Berishës po korrupton çdo qelizë të shoqërisë, duke i bërë të gjithë kontributorë në atë që Hannah Arendt e ka quajtur triumfi i së keqes banale. Një e keqe e kapilarëzuar, tipike për kampet e përqendrimit, ku të gjithë kontribuojnë në ndërtimin e dhomave të gazit, por të gjithë pretendojnë se nuk kanë faj. Nuk kam asnjë iluzion se qeverisja e ardhshme do të jetë morale. Por kam shpresë se nuk do të jetë kaq autokratike, kaq absolute sa kjo e sotmja dhe për rrjedhojë, edhe më pak e korruptuar. Por rënia e pushtetit absolut është edhe shpresë se rotacioni nuk do të mbyllet përfundimisht më 23 qershor, se demokracia do vazhdojë, se po sna pëlqeu Edi Rama, do të kemi mundësi të tjera zgjedhjeje, se rënia e autokratit Berisha është rënie e atij superpushteti që pengon gjykatat të këpusin prangat e politikës dhe mafies të lidhur me të, të superpushtetit që pengon votën e lirë. Kam shpresë se bashkë me rënien e Berishës do të bjerë frika nga pushteti i tij, se bashkë me drejtësinë e pavarur që mbron qytetarin nga humbja e vendit të punës, e bukës së gojës prej hakmarrjes së pushtetit, do rritet guximi qytetar, protesta dhe aksioni qytetar për ringjallje morale. Moralin e zalisur, bashkë me arsyen, mund ta ringjallin qytetarët, jo politikanët. Qytetarët janë Zoti që mund të kryejë mrekullinë e ringjalljes së asaj që është kryqëzuar. Por që të ndodhë mrekullia, duhet lindur qytetari! Dhe nëse qeverisjet e ardhshme do të jenë ose jo më pak e korruptuar se kjo e sotmja, kjo do të varet nga fakti se sa të lira do të jenë institucionet e së drejtës, të zbatimit të ligjit për të vepruar, pavarësisht interesave të atyre që do jenë në qeveri, kundër imoralitetit qeverisës që është korrupsioni. Gjë që nuk e kemi parë në këto 23 vjet.
***
Ka momente kur një punë e mirë mund të bëhet vetëm me disa burra të këqij. Baronët e mesjetës që luftonin për interesin e tyre kundër pushteti absolut të mbretit, nuk ishin të gjithë burra të mirë. Por qe pikërisht dora e verbër e tregut dhe konkurrencës politike, që i bëri ata kontributorë të themelit të lirisë. Ata detyruan, për interesat e tyre të vogla, monarkun të nënshkruajë atë që mbetet guri i themelit të lirisë europiane, Magna Carta-n e famshme. Kështu shkruan Fareed Zakaria në librin e tij E ardhmja e lirisë. Dhe është pikërisht kjo që duhet të na shqetësojë tani, e ardhmja e lirisë në Shqipëri. Prandaj ti shfrytëzojmë edhe në baronët tanë të politikës, interesat e tyre meskine, për një arritje më të madhe në favor të lirisë! Të gjithë të moralshmëve që sot ndihen të indinjuar nga pakti Meta-Rama dua tu kujtoj se kanë dhënë, në një formë ose në një tjetër, kontributin e tyre në të keqen banale që na ka mbërthyer, për trashjen e llumit ku jemi zhytur dhe nga i cili nuk dalim dot pa u kapur te paterica që mbante deri dje të keqen në pushtet. Dikush me frikën, dikush me fanatizmin apo indiferencën, me shitjen e votës apo me vjedhjen e saj. I kujtoj se duhet të ndihen fajtorë kur në vitin 2008, shkuan si delet pas Ramës dhe Berishës, injoruan zërat kritikë (përfshi dhe LSI e Metën) dhe nuk u shqetësuan fare për ndryshimin skandaloz të Kushtetutës që është kryerrënja e republikës së sotme me pushtete të kapura nga kryeministri më keq se një monark mesjetar. I gjithë kalbëzimi i sotëm e ka rrënjën atje. Kapja e gjykatave nga ky kryeministër i tejfuqizuar, ka për rrjedhojë mosndëshkimin e asnjë ministri, megjithëse korrupsioni është thelluar nga viti në vit. Dhe aty ku nuk ka drejtësi, është absurde të ketë moral. Prandaj dua të pyes të gjithë që shqetësohen me të drejtë për moralin, si dhe për 21 janarin, nëse morën mundimin ti bashkohen protestës qytetare kundër vendimit të turpshëm të gjykatësve për 21 janarin? Kam qenë vetë në atë protestë të organizuar nga të rinjtë e dedikuar të Mjaft-it. Kam ndier dhimbje kur kam parë vetëm nja 200 vetë. Pyes, a ka gjë më imorale sesa të mbetet në pushtet një kryeministër që ka vrarë protestues të pafajshëm? U bënë dy vjet nga masakra e 21 janarit. Ai që i vrau është akoma në pushtet. Madje kërkon një pushtet të tretë? Pse nuk e përmbysën falangat morale vrasësin? Sepse, edhe nëse ekzistojnë, janë në minorancë, janë të pafuqishme. Sepse pa rivendosur drejtësinë nuk mund të ringrihet fuqishëm morali. Dhe drejtësia nuk mund të çlirohet nga pran
