Propozimi për të pezulluar bashkëpunimin BE-Izrael, refuzojnë Gjermania dhe Italia

Gjermania dhe Italia kanë refuzuar propozimin për të pezulluar marrëveshjen e bashkëpunimit të BE-së me Izraelin, duke e quajtur atë “të papërshtatshme”.
Sipas lajmit nga AFP, Gjermania dhe Italia i kanë kundërshtuar thirrjet për të ndalur marrëveshjen e Asociimit të BE-së me Izraelin të qershorit 2000, pavarësisht zemërimit në rritje për luftën në Liban, situatën në Bregun Perëndimor dhe veprimet e Izraelit në Gaza.
Propozimi u ngrit nga Spanja dhe Irlanda (me mbështetje nga Sllovenia) gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e quajti propozimin “të papërshtatshëm”.
“Duhet të flasim me Izraelin për çështjet kritike. Kjo duhet bërë në një dialog kritik, por konstruktiv me Izraelin”, tha ai.
Ministri italian i Jashtëm, Antonio Tajani, u shpreh po ashtu kundër, duke thënë se “asnjë vendim nuk do të merret sot”, sepse “kushtet nuk janë të duhura as në aspektin numerik, as politik”.
Ai shtoi se bllokimi i marrëveshjes tregtare nuk do të ishte një mjet i dobishëm, pasi do të prekte popullsinë e përgjithshme izraelite.
Nga ana tjetër, Irlanda dhe Spanja insistojnë për veprim. Ministria e Jashtme irlandeze, Helen McEntee, tha se “duhet të veprojmë. Duhet të sigurohemi që vlerat tona themelore të mbrohen.”
Ata argumentojnë se Izraeli po shkel të drejtat e njeriut, duke përmendur veçanërisht ligjin e ri për dënimin me vdekje për terroristët palestinezë në Bregun Perëndimor, dhunën e kolonëve dhe operacionet në Liban (pas sulmeve të Hezbollahut).
/rtsh.al/