E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozohet edhe një bust për poetin

Përkujtohet 200-vjetori i vizitës së Lord Bajronit në Shqipëri. Shoqata që mban emrin e tij organizon një sesion shkencor kushtuar poetit, me studiues shqiptarë dhe të huaj.


Si kujtohet vizita e parë në Shqipëri e Bajronit
Kur kaloi 200 vjet më parë në trevat shqiptare dhe në mendje i shkrepi të blinte një kostum tradicional shqiptar, Lord Bajroni (1788-1824) nuk mund të parashikonte se si do të lexoheshin më vonë këto akte të tij dhe as se sa rëndësi do të kishin për shqiptarët vargjet që po krijonte për vendin e shqiponjave.


Me këtë rast, shoqata shqiptare që mban emrin e tij për nder të tij, organizoi dje sesionin shkencor ndërkombëtar "Bajroni dhe ballkanasit".


I pari që referoi ishte studiuesi irlandez Allan Gregory, i cili mbajti kumtesën "Realizmi oriental i Bajronit". Për kontributin e Bajronit në identitetin kombëtar shqiptar folën Enit Steiner dhe Morelle Smith.


Në pjesën e dytë të konferencës, studiuesja dhe përfaqësuesja e Shoqatës Amerikane të Bajronit, Pamela She-Ru Kao, do të bënte një analizë të figurave të Ali Pashë Tepelenës në poemën "Çajld Harod" dhe të Lambros tek poema tjetër "Don Zhuan".
"I pamëshirshmi, i sofistikuari dhe sensuali 'Luani i Janinës' më vonë do t'i shërbente Bajronit si frymëzim, për të krijuar poemën 'Don Zhuani'", - shpjegoi Kao.


Në fakt, gjithë cilësitë që vuri re tek "banditi"shqiptar, Bajroni ia veshi personazhit të Lambros tek "Don Zhuani". Me këtë pikë u mor gjatë studiuesja She-Ru Kao. Ajo gjen një sërë paralelesh mes dy figurave. "Ali Pashë Tepelenën ai e ka përshkruar si një bandit, gjakës, të pamëshirshëm, të egër dhe trim. Po të njëjtat tipare i ka veshur edhe Lambros, me ndryshimin se ai nuk është bandit, por pirat", - thotë ajo.


She-Ru Kao u ndal edhe në anën tjetër të Ali Pashës që përshkruan Bajroni. Dashurinë e tij për femrën dhe lidhjet e tij të ngushta me bashkëshorten dhe të motrën, që poetit i kanë bërë aq shumë përshtypje, nuk ka ngurruar t'ia veshë personazhit të Lambros. "Por me ndryshimin së Lambro nuk ka dy femra në jetën e tij, por vetëm të bijën, Hajdenë, kështu që ai i ka shkrirë dy karaktere në një", - tha studiuesja amerikane.
Dorian Koçi, në kumtesën "Leximi ndryshe i Bajronit", analizoi përkthimet e "Çajld Haroldit" në shqip prej Faik Konicës, Skënder Luarasit dhe Napoleon Tasit.
Koçi u ndal më shumë tek përkthimet e disa fjalëve që sipas tij e kishin zbutur paksa kuptimin e vargut të Bajronit.

"Konica dhe Luarasi fjalën cave e kanë përkthyer kafaz, ndërsa Tasi e ka sjellë në kuptimin e saj të parë, shpellë që ka një ngjyrim më të fortë," - shpjegon ai. Bëhet fjalë për një varg në të cilin Bajroni i përshkruan femrat shqiptare si të mbyllura në kafaz (sipas Konicës dhe Luarasit) apo shpellë (sipas Tasit). "Dy të parët kanë tentuar t'i japin një ngjyrim romantik vargut, duke e përkthyer në këtë mënyrë", - shpjegoi Koçi.


Konferenca ishte një rast për prezantimin e idesë për vendosjen e një busti të Lord Bajronit, në Tiranë. Në këtë takim janë prezantuar pesë bocete të poetit, të realizuara nga skulptori Muntaz Dhrami, dy prej tyre paraqesin Bajronin me kostumin kombëtar shqiptar. Kreu i shoqatës së Bajronit në Shqipëri, Afrimi Karagjozi tha se ndoshta një ditë busti i poetit anglez mund të zërë vend në ndonjë nga sheshet kryesore të kryeqytetit.

Ndahet nga jeta kritiku Kudret Velça


Dje të afërmit dhe miqtë kanë përshëndetur për herë të fundit studiuesin dhe kritikun Kudret Velça (1927-2009). Ai u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare mbrëmjen e së hënës. Nuk ishte sëmundja e parkinsonit nga e cila vuante prej disa kohësh ajo që i mori jetën, por një aksident i papritur në këmbë që i shkaktoi një emboli vdekjeprurëse.
Kudret Velça ishte një nga themeluesit e kritikës teatrore shqiptare.


Në vitin 1950 ai nis studimet në Hungari, për Filozofi. Në vitin 1954, pasi përfundon universitet kthehet në Shqipëri, ku fillon të japë mësim në Institutin e Lartë të Arteve një karrierë e gjatë, për më se gjysmë shekulli, si pedagog i Historisë së Teatrit. Vetëm para pak muajsh ai u shkëput nga mësimdhënia në Akademi, ku përveç historisë së teatrit jepte edhe lëndën e Estetikës.


Kudret Velça ka dhënë një kontribut të madh edhe me botimet e tij, ndër të cilat përmendim studimin "Pritja e Ibsenit në Shqipëri", monografinë për skenografin Agim Zajmi "Poet i skenës". Si bashkautor tekstesh mësimore dhe universitare, emrin e tij e gjen tek "Leximi i komentuar i veprës letrare 1", "Historia e teatrit botëror", "Letërsia 1: për shkollën e mesme të profilizuar", "Histori e artit 4", si dhe "Studime për autorë të ndaluar". Në historinë e Teatrit Kombëtar, Kudret Velça përmendet për dramatizimin që i bëri romanit "Lumi i vdekur" të Jakov Xoxës.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›