Mësuesi 58- vjeçar kërcënon me grevë urie
Nxënës, prindër dhe mësues në qarkun e Beratit kanë protestuar dje për largimin e mësuesve nga puna
BERAT- Pak ditë pas vendimit për largimin nga puna të mbi 50 mësuesve, vijnë reagimet e para nga prindër e mësues.
Kështu, ditën e parë të shkollës një grup prindërish nga fshati Bilçë, komuna Velabisht, protestuan para Drejtorisë Arsimore Rajonale për rikthimin në punë të një mësueseje të vjetër, e cila sipas tyre i kishte marrë fëmijët që në klasën e parë deri në të IV - të si dhe i kanë dërguar një peticion Ministrit të Arsimit.
Rasti tjetër ka të bëjë me vendimin ekstrem që ka marrë mësuesi Safet Çarçani, i cili për tetë vjet ka shërbyer në shkollën tetëvjeçare të Rërzës dhe tre ditë më parë është njoftuar se nuk do të jetë pjesë e stafit mësimor.
Mësuesi 58- vjeçar ka marrë menjëherë takim me Drejtorin e DAR zotin Yzedin Hima ku ka kërkuar shpjegime për largimin nga puna. Sipas tij, Drejtori e ka falënderuar për punën që ka bërë, dhe i ka shpjeguar se largimi i tij ka të bëjë me mosplotësimin e numrit të nxënësve, dhe jo me nivelin e tij arsimor.
Pikërisht këtu nis dhe reagimi i Çarçanit, i cili thotë: Unë kam përfunduar shkollën e mesme pedagogjike "Pandeli Sotiri" në Gjirokastër në vitin 1971 dhe jam pajisur me diplomë ku shkruhet e zeza mbi të bardhë: "Titulluar mësues për ciklin e ulët të shkollës 8 - vjeçare".
Pra unë kam titullin mësues dhe mbi 30 vjet punë, ndaj jam i vendosur të kërkoj vendin e punës". Sipas mësuesit në fjalë, njoftimi për largimin nga puna duhej të ishte bërë 15 ditë para, siç përcaktohet në ligj" dhe jo 24 orë para se të fillonte shkolla.
"Kam paralajmëruar Drejtorin e DAR se ditën e premte do të hyj në grevë urie në ambientet e shkollës në fshatin Rërëz dhe nuk tërhiqem nga ky vendim deri sa të rikthehem në vendin e punës.
Madje e kam nisur grevën para tre ditësh, teksa kam ndërprerë ilaçet, për faktin që kam kaluar dy infarkte. Për një gjë jam i sigurt, që nga greva do të dal vetëm i vdekur.
Nuk kam se çfarë të humbas më. Vetë jam i sëmurë, gruan e kam të sëmurë dhe të dy jemi të papunë. E përse duhet të jetoj më?!"
I pyetur për motivin e heqjes nga puna, Çarçani, përjashton çdo motiv për arsye politike, dhe këmbëngul se largimi i tij nuk është bërë për mungesë nxënësish, por për arsye të arsimit, gjë që nuk i është thënë nga titullari. Vetë kreu i Drejtorisë Arsimore Rajonale në Berat, zoti Yzedin Hima, tha për gazetën se vendimi i mësuesit është personal dhe ai mund të bëjë gjithçka.
"Unë e kam pritur këtë mësues dhe i kam komunikuar largimin për mungesë nxënësish, gjë që është normale. Gjithashtu i kam ofruar mësim me orë punë, gjë është kundërshtuar nga ai.
Për mua mësuesi në fjalë nuk është përjashtuar nga arsimi, por është larguar si shumë të tjerë dhe tashmë duhet të presë radhën për t'u sistemuar kur të hapen vende të lira. Mënyra që ai kërkon të ndjekë me vendime ekstreme, më duket se nuk e zgjidh problemin", - sqaron Hima.
Rushan Dosti
Topi dekreton gjeneralët e rinj
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka firmosur dje dekretimin e katër oficerëve të lartë të ushtrisë shqiptare. Kandidaturat ishin propozuar disa ditë më parë nga qeveria por axhenda e ngjeshur e kreut të shtetit kishte bërë që të vonoheshin.
Dje, pasi ka dekretuar këto ditë kryeministrin dhe qeverinë e re, Topi ka hedhur firmën edhe mbi dekretet e ushtarakëve duke kaluar nga grada Kolonel në gradën më të lartë të ushtrisë shqiptare, atë të Gjeneral Brigade. Sander Lleshi, Abaz Lleshi, Dhori Spirollari, dhe Xhemal Gjunkshi janë gjeneralët e rinj, të cilët do të zënë vendin vakant në familjen e gjeneralëve.