E Diel, 1 Nëntor 2026

Prostitucion në Durrës, arrestohen dy brazilianet. Si refuzuan t’i hapnin derën policisë, ndërhynë zjarrfikësit

Policia e Durrësit ka arrestuar dy të reja, shtetase nga Brazili që ushtronin prostitucion në një banesë të marrë me qira në qytetin bregdetar.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, pas një hetimi disajavor të ndjekur me metoda proaktive për veprat penale “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Përshtatja e ambienteve për përdorim droge”, në bashkëpunim me Prokurorinë, u finalizua faza e 10-të e operacionit policor të koduar “STORM”.

Në kuadër të operacionit u bë arrestimi i shtetaseve B. B., 24 vjeçe dhe H. D., 21 vjeçe, të dyja lindur dhe banuese në Brazil. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. M., 22 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjatë ndërhyrjes së forcave policore, këto shtetase kanë refuzuar të hapin derën e apartamentit, e cila më pas u hap me ndihmën e punonjësve të Zjarrfikëses.

Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se këto shtetase kishin marrë me qira, në lagjen nr. 2 në Durrës, një apartament dhe e shfrytëzonin për ushtrimin të prostitucionit dhe konsumimit të lëndëve narkotike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash në euro dhe lekë, tre aparate celularë, një bllok shënimesh, disa karta SIM, si dhe dy sasi të vogla lënde narkotike të dyshuara kanabis dhe çokollatë me përmbajtje kanabisi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›