E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prostitucion të miturash, 3 të akuzuar, Prokuroria: Një femër si “seksere”

TIRANE - Me premtimin se do tu siguronin një jetë më të mirë, pa halle e probleme, larg zonave rurale, tre pjesëtarë të një grupi kriminal, mes të cilëve dhe një femër, rekrutonin femra, të cilat më pas i trafikonin drejt Italisë, ku i detyronin të ushtronin prostitucion. Në akuzë janë vënë tre të pandehur, Gentian Tahiri (Ibrahimi), Bajame Ibrahimi dhe Xhanfranko Kiptiu, të cilët në shtator do të ulen në kafazin e hekurt për të dhënë llogari para drejtësisë. Sipas prokurorisë, Bajame Ibrahimi, kujdesej për vajzat e rekrutuara dhe i përcillte drejt Rinasit, prej nga do të udhëtonin drejt Italisë, për të dhënë idenë e një ambienti familjar, me qëllim që të kamuflohej veprimtaria e tyre kriminale.
Hetimet e prokurorisë
Në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda thuhet se Gentian Tahiri (Ibrahimi), në bashkëpunim me Bajame Ibrahimin dhe Xhanfranko Kiptiun, gjenin, rekrutonin dhe shfrytëzonin në mënyrë të vazhdueshme për qëllime prostitucioni, vajza nga krahina të ndryshme të vendit. «Gjatë periudhës kohore shtator dhe tetor 2012, Gentian Tahiri në bashkëpunim me Xhanfranko Kiptiun kanë marrë një banese me qera në të cilën banonin së bashku me katër të dëmtuara. E dyshuara Bajame Ibrahimi kujdesej për të dëmtuarat, duke siguruar kushtet në banesë, duke realizuar përcjelljen e tyre për në Rinas, duke krijuar fasadën e një ambienti familjar», thuhet në kërkesën për gjykim. Nga hetimet rezultoi se i dyshuari Gentian Tahiri e mbante të lidhur pas vetes vajzën e re, me justifikimin e një marrëdhënieje dashurore mes tyre, në një kohë që qëllimi i tij i vetëm ishte ta trafikonte drejt shtetit fqinj Itali, ku do të ushtronte prostitucion. «E dëmtuara ishte e bindur për një jetë më të mirë me të dyshuarin, dhe pranonte të ushtronte prostitucion për këtë arsye. E dëmtuara rrjedh nga një familje e varfër dhe pa kushte jetese. Ajo ka patur me vete dhe të motrën, e cila është e mitur. Edhe motra e saj ka ushtruar prostitucion për llogari të Gentian Ibrahimit», saktësohet në dosje. Sipas prokurorisë, nuk provohet fakti që e dyshuara Bajame Ibrahimi të ketë patur dijeni në lidhje me moshën e vajzës së shfrytëzuar.
Fajësia e të pandehurve
Në dosjen e prokurorisë janë renditur dhe provat e fajësisë ndaj të pandehurve. Kështu, në drejtim të realizimit të veprimtarisë së saj e dyshuara Bajame Ibrahimi në mënyrë të vazhdueshme ka marrë pjesë në shfrytëzimin e të dëmtuarave për qëllime prostitucioni. Krahas shfrytëzimit brenda shtetit, tre të dyshuarit kanë dashur të trafikojnë vajzat në Itali me qëllimin për t’i shfrytëzuar për prostitucion. «Nga hetimet rezulton se bëhet fjalë për një veprimtari të shtrirë në kohë në drejtim të rekrutimit, mbajtjes për qëllim të shfrytëzimit të femrave për prostitucion me qëllime fitimi», përfundon kërkesa për gjykim ndaj tre të akuzuarve për trafik femrash.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›