Prostitucioni në kohë moderne: Reklamë online e punë në apartamente me qira ditore në Tiranë

Policia e Tiranës njoftoi këtë të premte finalizimin e fazës së dytë të operacionit të koduar Last Post. Bëhet fjalë për tre raste të tjera të ushtrimit të prostitucionit në apartamente me qira ditore, në kryeqytet.
Në pranga ranë katër persona: një 35-vjeçar shqiptar si dhe tre vajza të huaja, vietnameze dhe braziliane.
Policia thotë se personat në fjalë aktivitetin e tyre të paligjshëm e reklamonin nëpër rrjetet sociale, ndërsa prostitucioni kryhej në apartamente me qira ditore, në lagje të ndryshme të kryeqytetit. Një person i pestë u procedua në gjendje të lirë si përfitues nga kjo skemë.“Në vijim të verifikimeve, punës operative dhe asaj hetimore, kryer në terren dhe në hapësirën digjitale, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit të ushtruar në apartamente me qira ditore, në lagje të ndryshme të kryeqytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan fazën e dytë të operacionit të koduar Last Post”.
“Gjatë kësaj faze u arrestuan shtetasit: I. L., 25 vjeçe, shtetase braziliane, dhe U. L., 42 vjeçe, shtetase vietnameze, pasi dyshohet se kishin përshtatur apartamente të marra me qira ditore, për ushtrim të prostitucionit, në rrugët “Xhoxhi Martini” dhe “Milan Shuflaj”; E. H., 35 vjeç dhe Th. H., 37 vjeçe, shtetase vietnameze, pasi dyshohet se 35-vjeçari shfrytëzonte 37-vjeçaren për ushtrim të prostitucionit në një apartament të marrë me qira ditore, në rrugën “Him Kolli”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.Më 4 shtator, autoritetet policore të kryeqytetit njoftuan arrestimin e tre vajzave të huaja, për të njëjtin aktivitet kriminal, të ushtruar në të njëjtën formë.