E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e 20 Nëntorit në Tiranë, opozita tre ditë në shesh

FIER- Protesta e opozitës së majtë dhe të djathtë për transparencën e zgjedhjeve do të kulmojë me tubimin e 20 nëntorit në Tiranë, i cili siç mësohet nga burime pranë PS-së, do të zgjasë plot tre ditë dhe objekt kryesor do të jetë kërkesa për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Kreu socialist, Edi Rama, ai i PDS-së, Paskal Milo, i G99-ës Erion Veliaj, i PLiDr Spartak Ngjela dhe ish-përfaqësues të lartë të LSI-së, si dhe shumë deputetë socialistë zhvilluan dje protestën e radhës në Fier në kërkim të hapjes së kutive të votimit të përdorura në zgjedhjet e qershorit, ku kanë paralajmëruar edhe largimin e Berishës nga pushteti.


Edi Rama në një fjalim para qindra mijërave qytetarëve fierak ka theksuar se "mos hapja e kutive është fundi i pushtetit të Sali Berishës". Ai ka bërë thirrje për të marrë pjesë në mitingun e madh të PS-së më 20 nëntor në Tiranë.


"Beteja për të nxjerrë të drejtën e votës sonë nga kutitë e mbyllura është betejë për të nxjerrë vendin nga zgjedhjet e deformuara. Në 20 nëntor në Tiranë do të jemi për ti treguar të gjithëve se si mbrohet liria e votës nga një pushtet që po vjedh përditë të ardhmen e vendit dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Duke mbajtur peng kutitë e votimit, Berisha po afron vetëlargimin e tij" u shpreh Rama përpara qytetarëve të mbledhur në sheshin kryesor të Fierit.


Rama foli ndër të tjera edhe për vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi, duke thënë se ne s'e falim këtë vrasje. "Në atë kohë ne respektuam kujtimin e mikut tonë duke i kërkuar drejtësisë të thotë fjalën e vet, pa dashur që atë humbje e atë vrasje barbare ta linim si një ngjarje politike. Por kane kaluar 6 muaj dhe ne sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Në këtë moment Berisha dhe ata që ndjekin këtë protestë të dëgjojnë për një minutë zërin e heshtjes suaj në nderim të Fatmirit dhe në shprehje të së vërtetës së madhe se jo vetëm nuk harrojmë por në qoftë se drejtësia nuk bën drejtësi ne nuk falim", tha Rama.


**********



Opozita proteston ne Vlore per hapjen e kutive

"I them sot nga Vlora, Sali Berishës, do të fundosesh me turp në batakun ku po e zhyt përditë nga pak Shqipërinë, njësoj si atëherë, kur u kërkoje shqiptarëve të ishin të lumtur me piramidat. Por, ndryshe nga atëherë, Shqipëria nuk do të fundoset bashkë me ty, sepse po nuk i hape rrugën lirisë dhe demokracisë, duke hapur kutitë e 28 qershorit, do detyrohesh t'i hapësh ti vetë rrugën Shqipërisë, shumë më përpara sesa ç'mund të duket sot, kur u flet broçkulla shqiptarëve, nga kutia e mbyllur e parlamentit për jetën e lumtur që bëjnë. Do të duhet të largohesh me zgjedhje shumë të parakohshme, Sali Berisha".

Kështu i është drejtuar kreu i opozitës, Edi Rama, kryeministrit Sali Berisha, nga mitingu i mbajtur në Sheshin e Flamurit, në Vlorë. Në mitingun e radhës për kërkimin e hapjes së kutive, Rama ka deklaruar se 20 nëntori në Tiranë, nuk do të jetë thjesht një miting përmbyllës, por manifestim qytetar në më shumë se një ditë. "Ky është fillimi i fundit të pandalshëm të Sali Berishës, nëse nuk hap kutitë e votimit. Nuk pranojmë të jetojmë nën një regjim familjesh në pushtet. Asnjë protestë nuk është zgjedhje e lirë e atyre, që protestojnë dhe kjo nuk ka lindur nga një dëshirë e jona, por kjo lëvizje është një zgjedhje e detyruar patriotike, që ka bashkuar sot socialistë, progresistë dhe liberalë. Nuk mund të pranojmë një sistem të mbyllur oligarkik, me suksese imagjinare, dhe integrimin nuk e pengon bojkoti ynë, pasi kriza aktuale nuk buron nga ky bojkot.

Kemi qenë dhe do jemi të gjithë të gatshëm të bisedojmë, dhe nuk është faji ynë që të tjerët kanë kujtuar se kjo është një lojë për interesa të vogla. Nuk hyjmë në parlament dhe nuk duam të hyjmë për tu bërë bashkëfajtorë me mbylljen e syve për manipulimet e 28 qershorit. Ne nuk jemi vetëm. I vetëm është Sali Berisha, i mbyllur në kutinë e mbyllur të parlamentit". Ndër të tjera në fjalën e tij, Rama tha se: - "Sali Berisha, u tha dje shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit, që duhet të jenë të lumtur që Shqipëria mbeti e fundit në Evropë, pa viza, bashkë me Bosnjën, ndërkohë që Serbia, që akoma s'njeh kufirin e Kosovës, hyri në programin e liberalizmit me BE-në.

Ja pse në 20 nëntor, Shqipëria që jeton jashtë oborrit të familjes në pushtet, duhet të mblidhet në Sheshin Skënderbej. Sali Berisha, u tha dje shqiptarëve, nga kutia e mbyllur e parlamentit, se duhet të jenë të lumtur që Shqipëria ka sot një maxhorancë, që nuk pranon që parlamenti të bëjë gjykatësin e zgjedhjeve, pasi Saliu vetë, u ndenji mbi kokë gjykatësve duke i detyruar të japin vendimin e zymtë për lirinë e demokracinë shqiptare, vendimin që ndaloi forcërisht hapjen e ligjshme të kutive të votimit. Nga kutia e mbyllur e parlamentit u tha shqiptarëve, që duhet të jenë të lumtur që Shqipëria ka tashmë një zhvillim ekonomik, që na e kanë zili. Ja pse në 20 nëntor, ata që nuk hanë në familjen kryeministrore, duhet të mblidhen në Sheshin Skënderbej".

Në mitingun e zhvilluar dje pasdite, në Vlorë, kanë bërë gjithashtu thirrje për hapjen e kutive të votimit, kryebashkiaku Gjika, kryetari i PS-së së Vlorës Eltar Deda, Ndre Legisi, Nard Ndoka, Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi, Spartak Ngjela, Erjon Veliaj, Namik Dokle. Gjatë fjalës së tij Gjinushi tha se,:-"ju s'keni votuar për Sali Gërdecin, nuk votuat që të fitojë korrupsioni, as nuk votuat krizën ekonomike dhe varfërinë, apo të qeveriseni nga ministra të pandehur. Ju e patë si lodhej Ilir Meta, apo Ilir Xhuveli, për të bindur Rehn, se Berisha është i gatshëm për të bërë reformat, kur pak muaj më parë i thoshte, po Rehn, se Berisha ishte pengesë për integrimin e Shqipërisë". Ndërsa Spartak Ngjela, gjatë fjalës së tij, ka përmendur Avni Rustemin, duke renditur disa ngjarje të rëndësishme historike ku Vlora ka qenë protagoniste, si paralelizëm me situatën e sotme, e cila sipas Ngjeles, është tirania, së cilës i duhet dhënë fund në 20 nëntor.

Nga sheshi i Flamurit, nuk është harruar të përmendet gafa e Ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, për kërkimin e eshtrave të Ismail Qemalit. Në çeljen e takimit, kreu i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, ka ftuar kryeministrin Berisha, të kërkojë ndjesë publike për gafën e ministrit të tij të kulturës, që hodhi poshtë kulturën e qytetit të Vlorës, duke thënë se do të kthejë eshtrat e Ismail Qemalit, kur babain e kombit, kemi 75 vjet që e përkujtojmë në këtë shesh.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›