E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, sa do rriten pagat dhe pensionet

TIRANË- Ministri i Financave, Ridvan Bode, paraqiti dje para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë projektbuxhetin e vitit 2010, i cili parashikohet që ditën e enjte të votohet në seancë plenare. Shpenzimet totale në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet të jenë në nivelin e 410 miliardë lekëve ndërsa të ardhurat rreth 361 miliardë. Sërish deficiti pritet që të jetë i ndjeshëm, rreth 50 miliardë lekë.
Sipas Bodes, edhe gjatë vitit të ardhshëm është parashikuar një rritje e pagave dhe pensioneve ku më të privilegjuarat do të jenë ato të ulëtat. Pagat do të pësojnë një rritje nga katër për qind për ato të lartat deri në dhjetë për qind për pagat e ulëta. Për sa i përket pensioneve, edhe ato do të pësojnë një rritje të ngjashme. Kështu, rritja në këtë sektor parashikohet të variojë nga 7 deri në 15 për qind.
Rritje prej shtatë për qindësh do të aplikohet për pensionet e larta, ndërsa për ato të ulëtat ajo parashikohet të jetë 10 për qind. Në kuadër të barazimit të tyre me ato të qytetit, rritja e pensioneve të fshatit do të vërtitet në kufijtë e 15 për qind.
Lidhur me këtë, Bode përmendi edhe reformën që është duke u kryer në administratë për uljen e shpenzimeve nëpërmjet heqjes së shërbimit me makina për një serë funksionarësh. Sipas tij, në përfundim të saj pritet që të kursehen rreth 500 milionë lekë, të cilat parashikohet që të përdoren për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Prioritetet e buxhetit te vitit 2010 janë, arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe rritja e mbështetjes sociale për shtresat në nevojë. Sipas Ministrit të Financave, në fushën e shëndetësisë parashikohet të ndërhyhet ku në fokus të mos jenë spitalet apo administrata por, pacienti.
Duke përllogaritur koston e secilit pacient në varësi të sëmundjes që ai ka do të behët edhe financimi i aktiviteteve spitalore. I gjithë ky proces do të jetë në dorë të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, duke rritur efektshmërinë e investimeve në këtë sektor.
Për sa i përket arsimit, prioritet parashikohet të jetë përsëri rritja e frekuentimit në të gjitha nivelet e tij, në atë bazë, të mesmë dhe të lartë. "Prioritet do t'i jepet edhe mbështetjes së arsimit profesional duke stimuluar rritjen e kërkesës për të", - tha Bode.
Fondi për programin social për vitin 2010 ka pësuar një rritje në krahasim me vitin 2009, por këtë herë do të merren masat që ai të mos keqpërdoret. "Gjatë këtyre viteve, kemi pasur një keqpërdorim të fondeve për mbështetjen sociale duke përfituar një numër i madh personash që nuk e meritojnë. Do të bëjmë të mundur që të përfitojnë vetëm ata që vërtet kanë nevojë", - tha Bode.
Njësoj si viti 2009 edhe për vitin e ardhshëm qeveria parashikon të mbajë një nivel të lartë të shpenzimeve për investime publike duke kundërshtuar në këtë mënyrë sugjerimet e FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë për hartimin e një buxheti sa më realist. Ministri Bode theksoi se shpenzimet për investime publike parashikohet të kapin nivelin e 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për sa i përket rritjes ekonomike për vitin 2010 ajo parashikohet të jetë në shifrat e 6.5 për qind, një tregues ky tejet i guximshëm nëse krahasohet me ato të vendeve te tjera por më se i realizueshëm sipas Ministrit Bode.


Të dhëna
410 mld lekë shpenzimet
361 " " të ardhura
50 " " deficiti
4% rritje pagat e larta
10% " pagat e ulëta
7% " pensionet e larta
10% " pensionet e ulëta
15% " pensionet e fshatit
6.5% " ekonomike
9% e PBB-së investimet publike



Komision i veçantë për investimet rajonale

TIRANË- Të gjitha investimet që do të bëhen në kuadrin e zhvillimit të rajoneve duke filluar nga viti 2010 do të koordinohen nga një "dorë". Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar krijimi i një organizmi i kryesuar nga Kryeministri, i cili do të merret me koordinimin e të gjitha investimeve që bëhen nga dikastere të ndryshme për zhvillimin e infrastrukturës.
"Kemi hartuar një program të ri, siç është fondi i zhvillimit të rajoneve ku do të përfshijmë në një kuadër unik të koordinuar të të gjitha fondeve që sot harxhohen nga dikastere të veçanta ne territoret përkatëse për t'i vendosur ato në mbështetje të programeve për këtë qëllim", - tha Bode.
Organizmi do të quhet "Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve" dhe krahas kryeministrit, në rolin e kryetarit në përbërje do të ketë edhe një serë ministrash, përfaqësues të pushtetit lokal, etj. Kështu, pjesë e komitetit do të jenë, ministrat e Financave, Punëve Publike, Ekonomisë, Arsimit dhe Shkencës, Shëndetësisë, Bujqësisë, Kulturës dhe Turizmit, si dhe ministri i Mjedisit. Krahas tyre, në përbërje të tij gjithashtu do të jetë edhe kryetari i Shoqatës së Bashkive, ai i Shoqatës së Komunave dhe Kryetari i Konferencës së Rektorëve.
Krijimin e kësaj strukture Bode e justifikoi me efektshmërinë e ulët që sipas tij kanë pasur deri më tani investimet e bëra nga pushteti lokal. "Ky zhvillim nuk mund të bëhet duke ia lënë në dorë vetëm pushtetit lokal. Ato do të konkurrojnë me programet e tyre me studime të zhvillimit për komunitetin që ato përfaqësojnë. Do të mbështesë zhvillimin rajonal, ku në prioritet do të jenë zonat e izoluara që kanë mungesë të aktivitetit ekonomik për t'i dhënë atyre mundësi integrimi. Krijimi i këtij fondi do të jetë një ndërthurje midis programeve të pushtetit lokal dhe atij qendror", - shtoi ai.
Në fondin e përgjithshëm prej 55 miliardë lekësh që parashikohet të ndahet për këtë sektor do të bëjnë pjesë, ai për infrastrukturën rurale, fondi për ndërtimin e rrugëve të komunave dhe bashkive, fondi për ujësjellësit dhe kanalizime, fondet e Ministrisë së Bujqësisë për vaditjen dhe kullimin, fondet e Ministrisë së Arsimit për investimet në shkollat e reja për kopshtet dhe çerdhet, fondet e Ministrisë së Shëndetësisë për shërbimin parësor ambulator, ato të pyjeve që ka të bëjë me pyllëzimet dhe mbrojtjen e tokës, fondi shqiptar i zhvillimit apo edhe të institucioneve të tjera. "Ky është viti i parë i këtij programi dhe buxheti total për të kapur shifrat e 55 miliardë lekëve. Duke i shtuar këtyre fondeve shumën prej 6.4 për qind që është parashikuar në buxhet për investimet publike, ky zë në buxhetin e shtetit kap shifrat e 9.2 për qind të PBB-së", - tha Bode. E. S



Ministri paralajmëron se qeveria do të marrë borxh jashtë por duke shpresuar se do ta gjejë me kushte të favorshme

Bode: Edhe këtë vit do të marrim borxh

TIRANË- Mbajtja e një ritmi të lartë të shpenzimeve publike parashikohet të financohet përsëri nëpërmjet huamarrjes në tregjet ndërkombëtare. Gjatë prezantimit të Buxhetit te Vitit 2010 Ministri i Financave, Ridvan Bode, konfirmoi faktin se edhe gjatë këtij viti qeveria do të marrë borxh nga jashtë për të financuar një serë investimesh në vend. Ndryshe nga viti aktual ku financimi i jashtëm ishte me kosto të lartë, sipas Bodes parashikohet që në pranverë kur qeveria parashikon të dalë në tregun ndërkombëtar situata të jetë me e favorshme. "Për vitin 2010 ne mendojmë të dalim në tregun ndërkombëtar për të shërbyer këtë deficit që kemi menduar për t'i lënë sistemit bankar vendas që të kreditoje ekonominë. Mendojmë se është më mirë që bankat të financojnë ekonominë se sa shpenzimet për investime të qeverisë. Shpresojmë që nga pranvera e vitit që vjen, Shqipëria do të dalë edhe një herë në tregun ndërkombëtar për të financuar me para me një kosto shumë më të mirë. Duke dalë në këtë periudhë ku pritet të kemi një çmim më të ulët mendojmë që të mbyllim koston e lartë të vitit 2009", - tha Bode.
Për shkak te rritjes së kërkesës së vendeve me ekonomi të zhvilluar për borxh kostoja e tij në këto momente është shumë e lartë. Nisur nga kjo, sipas kreut të Financave, kërkesa e qeverisë është zhvendosur drejt huamarrjes nga institucionet e zhvillimit të cilat japin hua me kosto më te ulët. "Kemi filluar negociatat me disa nga këto institucione, në mënyrë që nën udhëheqjen e tyre të mund të financojmë projektet më madhore, si rruga Tiranë-Elbasan, aksi Qukës Qafë Plloçë, rruga e Arbrit, by-pasi i Fierit, etj",- tha ai.
Në lidhje me borxhin publik i cili shpeshherë është bërë shkak për kritika ndaj qeverisë si nga Banka e Shqipërisë ashtu edhe nga opozita, Bode theksoi se ulja e tij është një sfidë e qeverisë gjatë këtij viti.



Turizmi, qeveria merr kompetencat e vendorëve
TIRANË- Ministria e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit do të marrë kompetencat e pushtetit lokal për orientimin e investimeve në zonat me prioritet turizmin. Ministri i Financave Ridvan Bode theksoi dje para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë se zhvillimi i sektorit të turizmit nuk është në nivelin nisur edhe nga rritja e kërkesës nga vizitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri. Për këtë shkak, sipas Bodes, është i rëndësishëm një administrim sa më i mirë i investimeve ne zonat me përparësi turizmin dhe përvoja ka treguar që në dorën e pushtetit lokal investimet nuk kanë rezultuar të efektshme . Një administrim i investimeve nga Ministria e Punëve Publike do të rriste efiçencën e këtyre fondeve sipas Bodes. "Shumë zona kanë mbetur pa u zhvilluar pasi kanë qenë nën administrimin e pushtetit lokal. Ne do t'i kërkojmë MPPTT-së që të ndërhyjë për zhvillimin e turizmit", - tha ai. Kjo sipas tij, bëhet dukë marrë parasysh se zhvillimi i turizmit është një tjetër prioritet i qeverisë për vitin 2010.


Bode: Buxheti 2010 realist, të ardhurat rriten me 600 mln $

TIRANË - Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka raportuar projektbuxhetin për vitin 2010, ku ka theksuar se ai është tërësisht realist dhe do të njohë rritje.


"Janë rritur të ardhurat fiskale, ndaj arkës së shtetit do ti shtohen 600 milion dollarë më shumë, krahasuar me 2009-ën", tha ministri i Financave. Sipas tij, përparësi do të kenë investimet publike, ndërsa nuk do të ketë rritje të taksave.


Ministri sqaroi se ne buxhet te ardhurat jane 361 miliarde leke, shpenzimet 411 miliarde leke, ndersa eshte parashikuar ulja e shpenzimeve administrative.


Gjatë Konferencës së Kryetarëve, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se buxheti ishte sfidë e madhe dhe ripërsëriti apelin ndaj opozitës për të zënë vendet në Parlament për të dhënë kontributin e tyre në realizimin e reformave.

********


Buxheti, PS: Shifrat nxjerrin zbuluar premtimet e Berishës

Buxheti i shtetit nxjerr zbuluar premtimet e kryeministrit Sali Berisha për bujqësinë. Kështu ka deklaruar nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati, sipas të cilit qeveria i jep bujqësisë në fshat 42 herë më pak se sa kontributi real që ajo sjell në ekonominë tonë.


Sipas tij, bujqësia është sot një e pesta e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, por merr vetëm gjysmë për qind në projektbuxhetin për vitin 2010 të paracaktuar për Ministrinë e Bujqësisë.


Bushati ka bërë fajtor Sali Berishën që politikat ekonomike në bujqësi janë tepër të pafuqishme dhe pa fondet e duhura për të ndryshuar jetën e vështirë në fshat.


"Bujqësia e mbetet sërish "Liliput" nën "vizionin kolosal" të zotit Berisha, i cili merret vetëm me vepra të mëdha dhe harron "realitetin e vogël" të familjeve shqiptare në fshat"- tha ai, duke shtuar se edhe se në projektbuxhetin e vitit 2010, Qeveria Berisha ka përcaktuar vetëm investime minimale për gjysmën e familjeve shqiptare që mbijetojnë në fshat dhe të vetmin mjet jetese kanë aktivitetin bujqësor.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›