Protesta e 30-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë, vendoset banderolë tek Politeknikumi

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Protesta kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec vijoi edhe sot në Tiranë, ku qytetarët u mblodhën për të 30-ën ditë radhazi, duke përsëritur kërkesat e tyre dhe duke marshuar në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Fillimisht protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Me pankarta në duar ata kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e kastës së vjetër politike dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Pas grumbullimit fillestar, pjesëmarrësit marshuan drejt bulevardit kryesor për të vijuar qëndresën dhe revoltën e tyre përpara godinës së Kryeministrisë.
Para godinës së Kryeministrisë po mbajnë fjalime organizatorë dhe qytetarë të pranishëm.
Aktivisti Edison Lika deklaroi se kjo protestë ka goditur në zemër sistemin e vjetër politik. “Protesta goditi në zemër sistemin e vjetër. I ka dhënë goditje establishmentit politik mediave të kapura dhe oligarkëve që e kanë mbajtur në pushtet”, deklaroi ai.
Ndërkohë një pjesë e protestuesve që ishin në sheshin para Kryeministrisë u zhvendosën drejt Universitetit Politeknik të Tiranës, duke u ngjitur në katet e mësipërme ku ishin edhe studendë të tjerë.
Ata shpalosën një banderolë gjigante në ballkonin e Universitetit Politeknik të Tiranës ku shkruhej: “Ju erdhi fundi”!, “Shqipëria nuk është në shitje”. Në shenjë revolte u ndezën edhe flakadanë.
Pas këtij momenti pati edhe tensione, pasi protestuesit pretendojnë se ka ndërhyrë policia, që sipas tyre u ka rrëzua banderolën.
Ndërkohë pesë eurodeputetë i janë bashkuar protestës që po zhvillohet sot në Tiranë. Në sheshin para kryeministrisë fjalën e mori edhe eurodeputetja gjermane Martina Hermina Antonia “Tineke” Strik, cila shprehu solidaritetin e saj të plotë me protestuesit.
“Solidaritet me popullin shqiptar që po proteston. Vijoni me mobilizimin në protestë, zëri juaj do shprehet edhe në Bruksel. Populli shqiptar nuk e pranon mohimin e të drejtës së fjalës dhe qeveria duhet të dëgjojë qytetarët dhe jo njerëzit e pasur”, u shpreh ajo.
Eurodeputetja gjermane theksoi se moratoriumi në zonat e mbrojtura, kërkon ndalimin e ndërtimeve në këto zona. Ajo deklaroi më tej se me këtë protestë Shqipëria po tregon se i përket Bashkimit Europian.
Një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola, ka paralajmëruar se ditën e nesërme protestuesit do të mblidhen në Rrjoll, pasi aty është rivendosur gardhi që u hoq disa ditë më parë nga protestuesit.
Po ashtu Kola ka paralajmëruar se protestuesit nesër paradite në orën 10:00 do të ndalen edhe te Kuvendi, për të protestuar.
Pas fjalimeve në sheshin para Kryeministrisë, protestuesit vijuan me marshimin në rrugët e kryeqytetit.
1 nga 10/m.m//a.f/