Protesta e 50-të për Zvërnecin para Kryeministrisë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Në Tiranë ka vijuar edhe sot në ditën e 50-të protesta e qytetarëve, e cila nisi si kundërshtim ndaj investimit në Zvërnec dhe më pas u zgjerua me kërkesa për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur njëkohësisht shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, një nga aktivistët deklaroi se qëllimi i protestës është t’u përcillet deputetëve mesazhi se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar nga Parlamenti aktual, teksa paralajmëroi protestë në datën 23 korrik.
“Në datë 23 korrik është protesta paradite. T’i tregojmë parlamentit që nuk na përfaqësojnë dhe që nuk jemi të kënaqur me punën që ata bëjnë. Në ditët e ardhshme kemi përgatitur disa gjëra interesante”, tha ai.
Aktivisti Edison Lika deklaroi se protesta kundër qeverisë do të vijojë edhe pas 50 ditësh qëndresë, duke theksuar se qytetarët nuk do të largohen nga sheshi pa realizimin e kërkesave të tyre.
“Kjo protestë do të ndalojë vetëm atëherë kur shqiptarët të mos ikin më, por edhe ata që kanë ikur të kthehen. Do të ndalojë kur në parlament përfaqësues të mos jenë kriminelë dhe oligarkë, por përfaqësues të qytetarëve“, tha ai ndër të tjera.
Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.
/m.q/j.p