Protesta e 84-t radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Në Tiranë ka vijuar edhe sot, në ditën e 84-t, protesta e qytetarëve, e cila nisi si kundërshtim ndaj investimit në Zvërnec dhe më pas u zgjerua me kërkesa për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Si në çdo protestë të mëparshme, pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej” protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur njëkohësisht shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Aktivisti Edison Lika përsëriti kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit dhe qeverisë.
“Jemi sot në ditën e 84-t të kësaj rezistence qytetare dhe, siç e kemi thënë, ditët e rezistencës shtohen, ndërsa të qeverisë pakësohen. Ndaj kërkojmë njëzëri dorëheqjen”, deklaroi Lika.
Qytetarët e pranishëm në protestë u shprehën se rezistenca e zhvilluar gjatë këtyre 84 ditëve ka kapërcyer individët dhe është shndërruar në një kauzë që bashkon qytetarët.
Ata kërkojnë krijimin e një qeveri tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor, e cila duhet të ndërmarrë ndryshime ligjore dhe kushtetuese për garantimin e zgjedhjeve të lira.
Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.
Protesta e 84-t; Fotot: Florian Abazi 1 nga 11/m.q/r.e/