Protesta e PD-së, Kalemaj: 20 shkurti, reflekton kërkesën për ndryshim

Analisti Ilir Kalemaj ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se protesta e sotme kombëtare e zhvilluar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, reflekton edhe kërkesën për ndryshim.
Sipas Kalemajt, 20 shkurti është një datë e cila ndërlidhet me historikun e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare.
Ai vuri në dukje se kjo është një thirrje për një ringjallje të atyre idealeve, përfshirë edhe idealet e lirisë dhe demokracisë në të cilën u ngritën themelet e Partisë Demokratike.
“Është një datë simbolike, është një datë e cila ndërlidhet me historikun e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare dhe bën thirrje për një ringjallje të atyre idealeve, përfshirë edhe idealet e lirisë dhe demokracisë në të cilën u ngritën themelet e Partisë Demokratike, e cila një vit pas asaj date arriti të fitonte zgjedhjet e Mars 1992.
Për sa i përket datës, data ka një simbolikë dhe një historik dhe reflekton edhe kërkesën për ndryshim. Ashtu siç është shprehur opozita në këto raste, ne u shkëputëm nga diktatura e Enver Hoxhës, por bijtë e baballarëve apo pinjollët e bllokut janë ende në pushtet dhe ne po ringrihemi përsëri për të rrëzuar këtë neodiktaturë”, u shpreh Kalemaj.
/rtsh.al/