Protesta e opozitës, Berisha: Nga hiri u ngritëm si Feniksi, jemi të pamposhtur

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë tha se historia e deshi që PD të ishte forca e vetme politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës.
“Sot, jemi në këmbë më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën. Historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës”, tha Berisha.
Berisha tha se një vit më parë, në shkurtin e kaluar “lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën”.
“Unë fjalën time e mbajta nga një ekran televiziv, i burgosur politik”, tha Berisha.
“Por në atë protestë ne hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi. Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si Feniksi dhe se ata që menduan se do na mposhtin ne, dështuan me turp. Ne jemi të pamposhtur!”, tha më tej Berisha.
Berisha shtoi më tej se “ndaj dhe vijmë sot këtu si opozitë e të pamundurës e bën të mundur. Si PD që të pamundurat i bën të mundura. Sot kemi vulë dhe flamur. Sot, me tre rezoluta ndërkombëtare, jemi forca politike më e përkrahur”.
Berisha u ndal edhe tek vizita e tij në Gjermani ku theksoi se “u zotova solemnisht se nga Shqipëria, zero eksport refugjatësh dhe krimi në Europë. Ky është zotimi ynë, zero tolerancë”.
“Pra, miq, të gjitha këto janë shkaku pse jemi ne sot këtu. Për t’u thënë shqiptarëve dhe mbarë botës se ne nuk pajtohemi kurrë me këtë hajdut që historia e Shqipërisë nuk ka njohur kurrë të tillë”, u shpreh Berisha.