E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tre efektivë të lënduar gjatë protestës së opozitës, nisin hetimet

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Tre punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike pasditen e sotme në Tiranë.

Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës bën të ditur se një efektive ka pësuar dëmtime në sy, ndërsa dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe dorë.

“Sot në mbrëmje, gjatë protestës së thirrur dhe organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, e mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike drejt punonjësve të Policisë të vendosur para selisë së Kryeministrisë, janë lënduar tre punonjës të Policisë së Shtetit”, njofton Policia.

“Një efektive ka pësuar dëmtime në sy, ndërsa dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe dorë. Punonjësit e Policisë janë shoqëruar menjëherë për marrjen e ndihmës së nevojshme në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve”, vijon njoftimi.

“Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Shtetit po grumbullojnë të gjitha provat dhe pamjet filmike për të identifikuar dhe përballur me drejtësinë autorët që dëmtuan punonjësit e Policisë, të cilët ishin të angazhuar sipas planit të masave për mbarëvajtjen e tubimit të opozitës”, bën të ditur Policia e Tiranës.

“Drejtori i DVP Tiranë, Drejtues Elton Alushi, dhe Zëvendësdrejtori i Rendit kanë vizituar punonjësit e lënduar në spital, duke u siguruar që ata të marrin çdo ndihmë të nevojshme, në bashkëpunim me stafin mjekësor”, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës.

Protesta e opozitës, e para për këtë vit, nisi rreth orës 17:30 dhe përfundoi në 18:45. Protestuesit hodhën flakadanë dhe shashka në drejtim të Kryeministrisë gjatë kohës që ish-kryeministri Berisha përgatitej të merrte fjalën, si dhe në përfundim të fjalës së tij.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›