E Diel, 1 Nëntor 2026

BERLIN – Rutte mohon largimin e SHBA-së nga NATO-ja

BERLIN, 18 prill /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka hedhur poshtë spekulimet për një largim të mundshëm të SHBA nga aleanca e mbrojtjes, duke deklaruar për edicionin e së dielës të gazetës “Die Welt” se ai nuk shikonte ndonjë largim amerikan nga NATO-ja.

Ai theksoi gjithashtu se mbrojtja bërthamore amerikane për Evropën nuk vihet në dyshim, duke e përshkruar ombrellën bërthamore të SHBA si garancinë përfundimtare të sigurisë në Evropë dhe duke shtuar se beson se ”kjo do të vazhdojë të jetë kështu”.

Në javët e fundit, deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump kishin nxitur shqetësime se SHBA-ja mund të largohej nga aleanca.

Presidenti Trump kishte kritikuar atë që e konsideron si mbështetje të pamjaftueshme nga partnerët e NATO-s për luftën kundër Iranit.

Senati amerikan do të duhej të miratonte një tërheqje nga NATO me një shumicë prej dy të tretash, gjë që konsiderohet shumë e pamundur.

Javën e kaluar, Rutte u takua me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe tha më pas se Trump kishte qenë “qartësisht i zhgënjyer” me disa shtete anëtare të aleancës transatlantike.

Pikat e mosmarrëveshjes përfshinin përdorimin e bazave ushtarake dhe një mision për të siguruar Ngushticën e Hormuzit. Trump ka veçuar në mënyrë të përsëritur Spanjën, Francën dhe Britaninë e Madhe.

Rutte i tha gazetës se e kupton frustrimin e presidentit amerikan dhe i bëri thirrje Evropës të forcojë industrinë e saj të mbrojtjes, duke e cilësuar këtë si thelbësore për ruajtjen e aftësisë parandaluese dhe mbrojtëse./   /Ad.Ab/  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›