Protesta e opozitës për mbylljen e TikTok, Bardhi e Noka: Tentativë për censurë

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është bashkuar të rinjve të Partisë Demokratike në protestën e tyre kundër mbylljes së Tik Tok.
Berisha shoqërohet nga disa deputetë të Partisë Demokratike, ndërsa të pranishëm janë edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i pyetur nga gazetarët tha se mbyllja e Tik Tok është një tentative për të vendosur censurë.
“Është një protestë e thirrur nga të rinjtë dhe ka mbështetjen e plotë të partisë dhe të kryetarit. Akti i mbylljes nuk ka të bëjë me motivet e shpallura nga qeveria, por ka të bëjë me një tentativë për të vendosur censurë, ndaj është e dënueshme dhe ndaj këtij akti duhet të protestohet. Ne jemi në mbështetje të çdo të riu që lirinë e fjalës e ka marrë dhe e ka prezumuar si një gjë që nuk cenohet dhe ne e kemi lënë pas 34 vite më pare. Në 2021 Rama përdori trukun e mbylljes së kufijve për të penguar emigrantet që të vinin në votim. Edhe këtë herë ai kërkon të bëjë gjithçka për të mbyllur çdo hapësirë lirie ku opozita të ketë mundësi të shprehet dhe qytetarët të shprehen”, tha Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, u shpreh nga protesta se kryeministri Edi Rama kërkon të mbyllë TikTok, pasi sipas tij është një platformë ku “i çirret maska”.
“Që Edi Rama ka panik nga fjala e lirë kjo është evidente. Sigurisht që TikTok është një nga rrjetet sociale më të pakontrolluara nga regjimi dhe është një platforme ku i çirret maska, kjo e ka shqetësuar dhe tani duke qenë se dështoi me komisionin e censurës, tani pi përpiqet të censurojë TikTok. Edi Rama, do të ngelet në histori si armiku i fjalës së lirë”, u shpreh Noka.
Ndërsa, nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi tha se mbyllja e platformës është thjeshtë një akt censure.
“Akt censure, se pse u mbyll tani para fushatës? Pse për një vit? Pse nuk ndodh si vendet e tjera ku mund të kishte disa filtra? Kjo do të ishte forma më e mirë. Fakti që është bllokuar është akt censure”, tha Boçi.
/a.f/